ROMË – Mattarella pret mbretin Charles në Pallatin Quirinale

ROMË, 8 prill /ATSH/- Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla takuan sot presidentin italian, Sergio Mattarella – në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Itali që shënon udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit – që nga largimi nga spitali ku u trajtua për kancer, sipas AP.
Mbreti Charles dhe Camilla u shoqëruan në Pallatin Quirinale nga një grup rojesh presidenciale dhe u përshëndetën nga presidenti Mattarella në oborrin e pallatit.
Mattarella do të organizojë nesër në mbrëmje një banket shtetëror për monarkët britanikë në Pallatin Quirinale, i cili shënon gjithashtu 20 vjetorin e martesës së çiftit mbretëror.
Gjithashtu, mbreti Charles do të takohet nesër me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, përpara se të mbajë një fjalim në një seancë të përbashkët të Parlamentit italian – hera e parë që një monark britanik e bën këtë.
Në Romë, mbreti Charles do të theksojë lidhjet e ngushta midis Britanisë së Madhe dhe Italisë, dy aleatët e NATO-s, në një kohë kur vendet evropiane po punojnë për të forcuar mbështetjen për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.
Vizita treditore e Charles dhe Camilla do të përfshijë të enjten gjithashtu një udhëtim në Ravena, në rajonin verior Emilia Romagna, për të përkujtuar 80-vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat aleate. //a.i/