E Hënë, 2 Nëntor 2026

ROMË – Papa Leone shenjtëron adoleshentin italian Acutis, shenjtori i parë katolik i mijëvjeçarit

ROMË, 7 shtator /ATSH-DPA/- Papa Leone XIV do të shenjtërojë një adoleshent italian të ndjerë gjatë një shërbese sot në Vatikan.

Carlo Acutis vdiq nga leuçemia në vitin 2006 kur ishte vetëm 15 vjeç.

Nga pikëpamja e Kishës Katolike, adoleshenti jetoi një jetë shembullore. Thuhet gjithashtu se ai ka kryer dy mrekulli pas vdekjes së tij.

Adoleshenti i lindur në Londër ishte shumë fetar. Acutis njihet edhe si “ndikuesi i Zotit” pasi promovoi besimin e tij në internet dhe pritet të bëhet shenjtori i parë nga brezi i mijëvjeçarit.

Gjatë jetës së tij, ai ndihmoi priftërinjtë të krijonin faqe interneti për famullitë e tyre, promovoi besimin e tij në internet dhe ndërtoi një bazë të dhënash online të mrekullive fetare. Kjo bëri që ai të njihej si “apostulli kibernetik”.

Më shumë se 100 000 njerëz pritet të marrin pjesë në shërbesën e sotme.

Trupi i tij prehet në një kishë në qytetin qendror italian të Asizit, i cili u vizitua nga më shumë se një milion njerëz, vitin e kaluar.

Së bashku me Acutis, një tjetër italian që vdiq në moshë të re do të shenjtërohet – Pier Giorgio Frassati (1901-1924) – i cili thuhet se ka qenë kryesisht i përkushtuar për të ndihmuar njerëzit e varfër dhe të margjinalizuar.

Për Papa Leonen, i cili ka qenë kreu i 1,4 miliardë katolikëve në mbarë botën që nga maji, këto janë dy shenjtërimet e para. Planet datojnë që nga paraardhësi i tij, Papa Françesku.

Si rregull, mrekullitë duhet t’i atribuohen një shenjtori të mundshëm. Në rastin e Acutis, Vatikani ka vlerësuar dy shërime në Brazil dhe Itali. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›