E Martë, 3 Nëntor 2026

RTSH programe për muzikën- Peza: Festivali do jetë eventi kryesor, por jo i vetmi

Fituesi i Festivalit të 62-të të Këngës, Mal Retkoceri dhe fituesja e zgjedhur nga publiku për të shkuar në Eurovizion, Besa Kokëdhima u priten nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, njëherësh drejtor i Festivalit, Alfred Peza, i cili i shprehu urimet, por edhe falenderimet që ju bashkuan eventit më të madh të muzikës shqiptare në këtë edicion.

Sipas drejtorit të RTSH-së ky edicion i festivalit, ishte gjithëpërfshirës dhe i kapërceu kufijtë për të siguruar që çdo artist mund të vinte në festival si vlerë e shtuar.

“Ne jemi duke ndërtuar një sistem pune që festivali të jetë kulmi i gjithë këtij sistemi gjithëvjetor të punës së RTSH-së në të gjithë gjeneratat për të shkuar tek përfaqësimi në skenën kombëtare. Ne do të kujdesimi për gjatë gjithë vitit për të shndërruar në institucione edhe festivale e këngëve për fëmije e për te rinjtë, shoqëruar dhe me programe talk show”, u shpreh drejtori i RTSH-së.

Edhe dy artistët ndanë vlerësime për mënyrën e organizimit të Festivalit.

“Gjithmonë e kam pasur atë anën logjike që nuk kam eksperiencën në industrinë e muzikës, por sërish ka qenë pasioni, dëshira e madhe se ndoshta po mundem të fitoj diçka dhe me Fest 62 u vërtetua që edhe nëse nuk ke përvojë por, ke një këngë të mirë dhe nëse e ke me  pasion mund të kesh sukses”, u shpreh fituesi i Fest 62 Mal Retkoceri.

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovizion, Besa Kokëdhima vlerësoi festivalin teksa tha se imazhi i besimit nga artistët është rritur ndjeshëm.

“Mendoj se është bërë një hap i madh dhe i menjëhershëm. Unë besoj që ndaj festivalit është rritur shumë imazhi i besimit, të paktën nga artistët”, tha këngëtarja Besa Kokëdhima.

Gjatë takimit nuk munguan edhe batuat.

“Gjëja më e mirë, nga shumë të tjerat ishte që i dogjëm  të gjitha skedinat”, tha Peza.

Ndërkohë kanë nisur përgatitjet edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizion, që do të mbahet në maj në Malmo të Suedisë.

Gazetare: Albana Agolli

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›