E Hënë, 2 Nëntor 2026

RTSH sjell emisionin më të ri “Telerevista Sportive”, Kevin Rrapaj, talenti i audicioneve, në drejtimin e programit të përditshëm

Sezoni i ri televiziv në RTSH nis me energji të reja dhe starti më i bukur është  emisioni dedikuar tërësisht sportit. Duke nisur nga 8 shtatori, çdo ditë nga e hëna në të premte në orën 16:35, në RTSH1 HD vjen “Telerevista Sportive.

Nën drejtimin e Kevin Rrapajt, emisioni do të sjellë lajmet më të fundit nga sporti, intervista ekskluzive, analiza dhe rubrika të veçanta për të gjithë të apasionuarit pas çdo disipline sportive. Kampionatet shqiptare të futbollit, basketbollit, volejbollit, futbolli dhe basketbolli europian, olimpiadat e shumë sporte të tjera do gjejnë çdo ditë pasqyrim në ekranin e gjithë shqiptarëve.

“’Telerevista Sportive’ është një rubrikë me lajmet më të fundit të sportit nga vendi dhe bota. Sigurisht do të përqendrohet sidomos në lajmet e sportit nga vendi duke qenë që RTSH ka ekskluzivitet edhe Kategorinë Superiore, Kampionatin Shqiptar. Kjo rubrikë do ju ndjekë nga e hëna në të premte, në orën 16:35 në RTSH”, moderatori.

Kjo është një eksperiencë tërësisht e re dhe emocionuese edhe për moderatorin Kevin Rrapaj, pasi ai është një nga talentet e zbuluara së fundmi nga audicionet që RTSH hapi për të gjithë të rinjtë, me synimin për të sjellë energji dhe figura të reja televizive pranë publikut.

“Pjesë e RTSH-së u bëra në mënyrë shumë spontane. Pashë një lajmërim në Instagram për audicion dhe shkova. Më pas, pas disa javësh mora një telefonatë dhe më thanë që duan të të takojnë për diçka më tepër. Kështu filloi, nuk e prisja, por ja ku jam. Është eksperienca ime e parë televizive, kështu që jam një nga prurjet e reja këtu në RTSH”, tregon KevinRrapaj.

 “Telerevista Sportive” është pjesë e programacionit të pasur që RTSH do t’u ofroj  teleshikuesve këtë sezon, duke e kthyer ekranin publik në një dritare të gjerë informacioni, argëtimi dhe edukimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›