E Enjte, 5 Nëntor 2026

RUSI – Aviacioni ushtarak ukrainas shkatërron urën kryesore në Kursk

KIEV, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se shkatërruan sot një urë rrugore me rëndësi strategjike në Rusi, në mes të ofensivës së saj në rajonin Kursk.

Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk publikoi një video në një kanal Telegram që tregon bombardimin e një ure, në atë që ekspertët thonë se ka të ngjarë të jetë e vërtetë.

Videoja tregoi strukturën mbi lumin Seim në rrethin Glushkovo në gërmadha duke shkatërruar një rrugë thelbësore furnizimi për trupat ruse.

Rusia më herët raportoi se ura ishte shkatërruar.

Ajo ishte granatuar nga forcat ukrainase për ditë të tëra gjatë inkursionit, i cili filloi më 6 gusht.

Oleshchuk konfirmoi se Forcat Ajrore po marrin pjesë aktive në operacionet luftarake të forcave ukrainase në rajonin e Kurskut.

“Pilotët ukrainas kryejnë sulme precize kundër bastioneve të armikut, kundër grumbullimeve të pajisjeve dhe kundër qendrave logjistike të armikut dhe rrugëve të furnizimit”, tha komandanti.

Ofensiva e paprecedentë tokësore e Ukrainës në zonën e Kurskut vjen në mes të pushtimit të vazhdueshëm në shkallë të plotë të Rusisë, i cili filloi në shkurt 2022.

Kievi po kërkon të detyrojë Moskën në negociata për t’i dhënë fund luftës.

Guvernatori i Kurskut, Alexey Smirnov, raportoi shkatërrimin e urës të premten.

Blogerët ushtarakë rusë thanë në Telegram se ura fillimisht u granatua me raketa të prodhuara nga SHBA dhe më pas u shkatërrua nga një goditje me një bombë rrëshqitëse.

Ata thanë gjithashtu se dy vullnetarë në një makinë ishin vrarë ndërsa përpiqeshin të sillnin njerëzit në siguri gjatë bombardimeve më herët.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova kritikoi Ukrainën për përdorimin e armëve perëndimore për të shkatërruar infrastrukturën civile në rajonin e Kurskut dhe u zotua se ata që janë përgjegjës për këtë “sjellje çnjerëzore” do të ndëshkohen./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›