E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RUSI – “Gazprom” ndërpret dërgesat në Moldavi pas ndalimit të tranzitit në Ukrainë

MOSKË, 28 dhjetor /ATSH-DPA/- Kompania ruse e gazit “Gazprom” njoftoi sot se nuk do të furnizojë më me gaz natyror Moldavinë në 2025, duke fajësuar borxhet e supozuara të vendit.

“Gazprom” tha se kompania e gazit “Moldovagaz”, nuk ka përmbushur rregullisht detyrimet e saj të pagesave sipas kontratës ekzistuese, gjë që përbën një shkelje materiale të kushteve.

Qeveria moldave ka hedhur poshte pretendimet ruse se ajo i detyrohet “Gazprom” 790 milionë dollarë.

Njoftimi i “Gazprom” vjen disa javë pasi Ukraina tha se nuk do të lejojë më transitin e gazit rus përmes territorit të saj pasi marrëveshja aktuale përfundonte në fund të vitit.

Kjo bëri që qeveria moldave të vendoste gjendjen e jashtëzakonshme, në fuqi për 60 ditë.

Ish-republika sovjetike është tërësisht e varur nga gazi rus, i cili rrjedh përmes tubacioneve që shtrihen në Transnistria, një rajon separat pro-rus në lindje të vendit.

Udhëheqja Transnistriane në Tiraspol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në fillim të këtij muaji në përgjigje të ndalimit të pezulluar të dërgesave.

Një problem i shtuar për Moldavinë është se pjesa më e madhe e energjisë elektrike të saj prodhohet nga gazi, nëpërmjet një centrali në Transnistria – dhe një lidhje e planifikuar me rrjetin evropian nëpërmjet një linje të tensionit të lartë në Rumani nuk është vendosur ende.

Ekziston një gazsjellës më i vogël midis Rumanisë dhe Moldavisë që kalon poshtë Lumit Prut që mund të furnizojë 1 milion metër kub gaz në ditë.

Moldavia gjithashtu përdor objektet rumune të depozitimit të gazit si një tampon emergjence. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›