RUSI – Kremlini hedh poshtë raportet për bisedën telefonike mes Trump dhe Putin

MOSKË, 11 nëntor /ATSH-DPA/- Kremlini hodhi poshtë sot raportet se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin ditët e fundit – duke i konsideruar ato si “trillim i pastër”, sipas Reuters.
Sipas raportit, Trump – i cili ka kritikuar shkallën e mbështetjes ushtarake dhe financiare të SHBA-së për Kievin duke thënë se do t’i jepte fund luftës shpejt – kishte biseduar me Putinin ditët e fundit.
Burimi i raportuar fillimisht nga “The Washington Post”, citoi burime të paidentifikuara duke thënë se Trump i kishte thënë Putinit se ai nuk duhet të përshkallëzonte luftën në Ukrainë.
Në një lëvizje të pazakontë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se asnjë telefonatë e tillë nuk kishte ndodhur mes Putinit dhe Trump.
“Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ky është një trillim i pastër, është thjesht një informacion i rremë. Nuk ka pasur asnjë bisedë”, u tha ai gazetarëve.
“Ky është shembulli më i dukshëm i cilësisë së informacionit që po publikohet tani, ndonjëherë edhe në botime mjaft me reputacion”, tha ai.
I pyetur nëse Putin kishte plane për ndonjë kontakt me Trump, Peskov tha: “Nuk ka ende plane konkrete”.
Trump zhvilloi të mërkurën e kaluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
I pyetur për telefonatën e supozuar Trump-Putin, Steven Cheung, drejtori i komunikimit i Trump, tha: “Ne nuk komentojmë telefonatat private midis presidentit Trump dhe liderëve të tjerë botërorë”.
Republikani Trump do të marrë detyrën më 20 janar pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
“Biden e ka ftuar Trump në Zyrën Ovale të mërkurën”, tha Shtëpia e Bardhë.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha të dielën se mesazhi kryesor i Biden do të ishte angazhimi i tij për të siguruar një transferim paqësor të pushtetit – dhe se ai gjithashtu do të bisedonte me Trump për atë që po ndodhte në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme. //a.i/