RUSI – Mbështetësit e Navalnyt mirëpresin shkëmbimin e të burgosurve, ndërsa Moskës i kërkohet të lirojë më shumë

MOSKË, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Aktivistët e afërt me Alexei Navalny, një kritik i shquar i Kremlinit, i cili vdiq në një kamp burgu rus në fillim të këtij viti, deklaruan se ishin të lumtur me shkëmbimin historik të të burgosurve midis shteteve perëndimore dhe Rusisë.
Figura të shumta të opozitës të arrestuar në Rusi ishin pjesë e shkëmbimit, i cili erdhi shumë vonë për Navalny, që para vdekjes së tij ishte kundërshtari më i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin.
”Ekipi i Navalnyt ndihmoi në përpilimin e listës”, tha Maria Pevchikh, kreu i fondit kundër korrupsionit, i themeluar nga figura e ndjerë e opozitës.
Pevchikh dhe mbështetës të tjerë të Navalny udhëtuan në qytetin gjerman të Këlnit për të pritur anëtarët e opozitës të liruar në Gjermani nga presidenti rus Vladimir Putin, duke përfshirë politikanin Ilya Yashin./ /os/