RUSI – Moska: Kievi po luan me zjarrin me sulmet pranë centralit të Zaporizhias

MOSKË/KIEV, 18 maj /ATSH-DPA/ – Rusia ka shprehur shqetësim për ato që i cilëson si sulme ukrainase pranë centralit bërthamor të Zaporizhias, i pushtuar nga forcat ruse në juglindje të Ukrainës, duke paralajmëruar për rreziqe në rritje në zonë.
Alexei Likhachev, kreu i kompanisë shtetërore ruse të energjisë bërthamore ”Rosatom”, deklaroi se situata rreth centralit po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.
“Po i afrohemi një pike pa kthim”, tha ai.
Forcat ruse morën kontrollin e centralit pak pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më shumë se katër vjet më parë. Që atëherë, Moska ka akuzuar Kievin për sulme të përsëritura me artileri dhe dronë në zonat përreth.
Likhachev tha se situata përbën “lojë me zjarrin” dhe paralajmëroi për pasoja të mundshme për të gjithë Evropën Lindore. Ai bëri thirrje për përpjekje ndërkombëtare, përfshirë nga Evropa, për të ulur tensionet rreth centralit.
Sipas tij, në impiant ruhen rreth 2 600 tonë karburant bërthamor.
Në rast të një goditjeje të drejtpërdrejtë, veçanërisht ndaj objekteve të magazinimit të karburantit të përdorur, mund të ketë pasoja me rëndësi rajonale.
”Sulmet ndaj objekteve në zonën përreth përbëjnë një përshkallëzim të situatës deri në pikën e katastrofës”, tha Likhachev.
Sipas raportimeve ruse, disa autobusë u dëmtuan ose u shkatërruan në një sulm me artileri ndaj një depoje automjetesh në central gjatë fundjavës.
Zaporizhia është centrali më i madh bërthamor në Europë, me gjashtë reaktorë dhe një kapacitet prej rreth 6 000 megavatësh.
Aktualisht ai nuk prodhon energji elektrike.
Agjenica Ndërkombëtare e Agjencisë Atomike mban një mision të përhershëm monitorimi në central për të reduktuar rrezikun e një aksidenti bërthamor./ /Ad.Ab./ a.jor.