RUSI – Moska hedh poshtë dislokimin e trupave nga vendet e NATO-s në Ukrainë

MOSKË, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia ka hedhur poshtë sërish në mënyrë kategorike mundësinë e dislokimit të trupave nga vendet e NATO-s në Ukrainë, mes përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës.
Britania e Madhe ka sugjeruar në mënyrë të përsëritur mundësinë që trupa të huaja të dërgohen në Ukrainë pasi të arrihet paqja.
Por zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, tha në Moskë se Britania po vazhdon të kërkojë atë që ajo e quajti “një përshkallëzim” të konfliktit me skenarë të tillë dhe po i shtyn vendet anëtare të NATO-s drejt një kufiri të rrezikshëm, nga i cili nuk do të ishte larg një konflikt i madh global.
Ajo reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili tha se ishte i përgatitur të dislokonte trupa të tilla. Ukraina është pro kësaj si një garanci sigurie.
“Ne përsërisim qëndrimin tonë të shprehur vazhdimisht se i mohojmë çdo skenar që parashikon dislokimin e një kontingjenti ushtarak në Ukrainë me pjesëmarrjen e shteteve të NATO-s, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim të pakontrollueshëm të konfliktit me pasoja të paparashikueshme,” shtoi Zaharova.
Presidenti rus Vladimir Putin së fundmi deklaroi, gjatë dhe pas takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë javën e kaluar, se dëshiron t’i japë fund luftës.
Megjithatë, ai ka paraqitur vazhdimisht një sërë kërkesash për armëpushim dhe paqe në Ukrainë, të cilat ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve gjatë takimit mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. /Ad.Ab./