E Hënë, 2 Nëntor 2026

UASHINGTON – Bisedimet Trump-Zelensky-BE vazhdojnë me dyer të mbyllura

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH/- Takimi shumëpalësh i presidentit të SHBA-së, Donald Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e Evropës është duke u zhvilluar tani, sipas BBC.

Media botërore është larguar nga salla, por Trump dhe udhëheqësit evropianë të mbledhur janë ende të ulur rreth tryezës në Shtëpinë e Bardhë dhe po vazhdojnë bisedimet me dyer të mbyllura.

Trump, e hapi takimin duke prezantuar udhëheqësit evropianë.

“Kemi pasur një ditë shumë të suksesshme deri më tani. Jemi vërtet të nderuar që ju erdhët këtu”, tha Trump.

Trump tha se palët duhet të diskutonin shkëmbimet e mundshme të territorit.

“Ne gjithashtu duhet të diskutojmë shkëmbimet e mundshme të territorit, duke marrë në konsideratë vijën aktuale të kontaktit midis Ukrainës dhe Rusisë”, tha presidenti amerikan.

Trump ka sugjeruar në të kaluarën se Ukraina do të duhet t’ia lëshojë zyrtarisht territorin Rusisë, përfshirë rajonin e Krimesë.

“Në një hap shumë të rëndësishëm, Putini ra dakord që Rusia do të pranonte garanci sigurie për Ukrainën”, tha Trump.

Gjithashtu presidenti i SHBA-së, tha se garancitë e sigurisë do të ishin një temë diskutimi në takimin shumëpalësh.

“Jam optimist se së bashku mund të arrijmë një marrëveshje që do të pengonte çdo agresion të ardhshëm kundër Ukrainës”, tha Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›