E Premte, 6 Nëntor 2026

RUSI – Putin: Nuk ka plane për të marrë kontrollin e Kharkivit

MOSKË, 17 maj /ATSH-DPA/- Rusia nuk ka plane për të marrë kontrollin e qytetit ukrainas, Kharkiv dhe thjesht po krijon një zonë tampon në zonë për shkak të sulmeve në rajonin fqinj rus të Belgorodit, tha sot presidenti Vladimir Putin.

Deklarata e tij erdhi në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët e medias shtetërore ruse në fund të vizitës së tij dyditore në Kinë, në qytetin Harbin.

Sulmet, këtë muaj nga trupat ruse dhe forca të blinduara përtej kufirit në rajonin verilindor të Kharkivit sugjerojnë se Moska tani synon të pushtojë qytetin e dytë të Ukrainës, pasi nuk ka arritur ta bëjë këtë në fillimin e luftës më shumë se dy vjet më parë.

Putin kritikoi gjithashtu samitin e paqes në Ukrainë të planifikuar muajin e ardhshëm në Zvicër si një përpjekje për të vendosur kushte ndaj vendit të tij për t’i dhënë fund konfliktit.

Ukraina dhe Perëndimi shpresojnë se Kina do të dërgojë një përfaqësues në Zvicër për t’i dhënë më shumë peshë takimit të planifikuar për 15-16 qershor pranë Lucernit.

Putini tha se Rusia po kritikohej vazhdimisht pa u ftuar në këtë ngjarje.

Presidenti rus theksoi sërish se Rusia ishte e gatshme për negociata. Megjithatë, as Rusia dhe as Ukraina nuk kanë sinjalizuar ndonjë vullnet për t’i lëshuar ndonjë territor tjetrit.

Duke folur për gazetarët në Kiev, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se shumë shtete do të marrin pjesë në takim. Ai shtoi se Kina mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe nuk kishte simpati për aneksimet në vend.

“Qëllimi i samitit në Zvicër është arritja e një zgjidhjeje të konfliktit”, tha Zelensky.

Objektivat e Ukrainës në këtë ngjarje përfshinin arritjen e sigurisë energjetike dhe shkëmbimin e të gjithë të burgosurve.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›