E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Putin refuzon sigurinë perëndimore në Ukrainë

MOSKË, 5 shtator /ATSH/ – Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar propozimet perëndimore për një “forcë sigurie” në Ukrainë, një ditë pas një takimi  në Paris që synonte finalizimin e planeve për garanci sigurie, në rast të arritjes së një armpushimi në Ukrainë, sipas BBC.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se 26 aleatë të Ukrainës ishin angazhuar zyrtarisht për të vendosur trupa “nga toka, deti ose ajri” për të garantuar sigurinë sapo të ndalojnë luftimet. Ai nuk dha detaje se cilat vende do të përfshiheshin në këtë force sigurie.

Putin e hodhi poshtë këtë nismë të aleatëve, duke paralajmëruar se çdo trupë e vendosur në Ukrainë do të ishte “objektiv legjitim”, sidomos nëse shfaqej tani, edhe pse nuk ka plane për vendosje të menjëhershme.

Shpresat për një armëpushim duken të pakta për momentin, edhe pse takimi i muajit të kaluar në Alaskë mes Putinit dhe presidentit amerikan Donald Trump ngriti për pak kohë pritshmëritë për një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe një marrëveshje të mundshme paqeje.

Megjithatë, që nga takimi në Alaska, “koalicioni i të vullnetshmëve”, i udhëhequr nga Britania dhe Franca, ka punuar intensivisht për t’i ofruar Kievit garanci nëse arrihet një marrëveshje. Macron theksoi se trupat do të vendoseshin vetëm për të parandaluar “ndonjë agresion të madh të ri” dhe jo në vijën e frontit.

Zelensky e përshkroi vendimin e marrë në takimin e Parisit të enjten si hapin e parë konkret. SHBA nuk e ka bërë të qartë shkallën e përfshirjes së saj, ndërsa Macron tha se kjo do të përcaktohej ditët në vijim. Trump ka sinjalizuar se mbështetja amerikane “ndoshta” do të vijë në formën e mbështetjes ajrore, ndërsa Zelensky tha se kishte folur me presidentin amerikan për “mbrojtjen maksimale të hapësirës ajrore të Ukrainës”.

Presidenti Trump tha se kishte një “dialog shumë të mirë” me Putinin dhe planifikonte të fliste me të së shpejti. Putin e konfirmoi sot se kishte “dialog të hapur” me presidentin amerikan.

Ukraina dhe aleatët e saj besojnë se fillimisht duhet të arrihet një armëpushim, përpara se të tentohet një marrëveshje më e gjerë paqeje, gjë me të cilën Rusia nuk është dakord.

Duke folur në një forum ekonomik në Vladivostok, Putin argumentoi se “nëse arrihen vendime që çojnë… drejt paqes afatgjatë, atëherë unë thjesht nuk shoh arsye për praninë e trupave të huaja në Ukrainë”. “Rusia do të respektonte çdo vendim që çon drejt paqes afatgjatë “plotësisht”, shtoi Putin. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›