Radovan Karaxhiç, arrestimi i një monstre
Më në fund, Karaxhiç u arrestua. Lajmi i jep hov prespektivës së integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian
Radovan Karaxhiç, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, më në fund, u arrestua në Serbi. Ai është akuzuar nga Gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, gati 13 vjet më parë, i dyshuar për krime gjatë luftës së Bosnjës, që vijoi nga viti 1992 deri më 1995. Lajmi duket se do të shkaktojë pasoja të rëndësishme politike në të gjithë Ballkanin. Me siguri, kjo do të përmirësojë marrëdhëniet e ashpra të Serbisë me Bashkimin Europian.
Shumë pak detaje janë dhënë mbi rrethanat e arrestimit, i cili u raportua të hënën, më 21 korrik, por ngjan se është kryer në një autobuz në Beograd, tre ditë më herët. Z. Karaxhiç thuhej se fshihej diku mes Serbisë së jugut, Malit të Zi dhe Bosnjës.
Akuza e OKB-së thotë se ai është përgjegjës për genocid, shfarosje, vrasje dhe pastrim etnik të Muslimanëve dhe Kroatëve të Bosnjës në zonat që qenë nën kontrollin e serbëve gjatë luftës civile. Krimet më të rënda për të cilat akuzohet janë rrethimi i Sarajevës, në të cilin civilët u sulmuan dhe vrasja e tetë mijë muslimanëve të Bosnnjës burra dhe fëmijë, kur qyteti i Srebrenicës ra më 1995. Kur lajmi i arrestimit mbërriti në Sarajevë të hënën, turmat e njerëzve zunë rrugën dhe i ranë burive të makinave.
Z. Karaxhiç ka lindur në Malin e Zi dhe u bë udhëheqës i partisë nacionaliste të serbëve në Bosnjë, një parti që u krijua pas rënies së komunizmit në ish-Jugosllavi. Një poet, i dënuar për mashtrim dhe që një herë u bë psikiatri i skuadrës së futbollit të Sarajevës, fillimisht ai bashkëpunoi me kolegët e tij muslimanë dhe kroatë. Por kur Jugosllavia filloi të dizintegrohej, partia e tij mori direktiva nga Millosheviçi dhe filloi përgatitjet për luftë, duke shpërndarë armë të siguruara nga ushtria Jugosllave.
Në tetor 1991, ndërsa lufta shpërtheu në Kroaci, parlamenti i Bosnjës u mblodh për të debatuar nëse duhej të shpallej pavarësia nga Jugosllavia. Z. Karaxhiç deklaroi se shpallja e sovranitetit do ta dërgojë republikën “në të njëjtën rrugë drejt ferrit” në të cilën pati hyrë edhe Kroacia. Ai shtoi se udhëheqësit Muslimanë të Bosnjës mund t’i udhëhiqnin njerëzit e tyre drejt shfarosjes. Nuk pati mundësi për kompromis. Ai deklaroi se pjesët serbe të Bosnjës do të ndahen dhe do të bashkohen me Serbinë e Madhe.
Kur lufta shpërtheu më prill 1992, Sarajeva u rrethua dhe qindramijëra muslimanë e kroatë u përzunë nga zonat që z. Karaxhiç synonte të siguronte për Republikën e Serbëve. Lufta qe një disfatë e plotë dhe përfundoi vetëm kur të gjitha palët u shpartalluan më 1995. Akuza e OKB e hoqi Karaxhiçin nga pushteti, por Republika e Serbëve ekziston sërish, megjithëse Muslimanët e Bosnjës thonë se ajo u themelua në genocid.
Arrestimi i z. Karaxhiç tregon ndryshime të mëdha në politikën e Serbisë. Shumë individë me më pak rëndësi qenë arrestuar më herët. Deri tani, gjithsesi, besohej se z. Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak i kohës së luftës, Gjenerali Ratko Mlladiç, (i cili nuk është arrestuar ende), mbroheshin nga rrjete të fuqishme ish-anëtarësh e anëtarësh aktualë të shërbimeve sekrete. Ajo kohë duket se ka mbaruar tashmë, kryesisht për shkak se qeveria e re e Serbisë është e gatshme të veprojë. Qeveria e mëparshme, e cila kishte pushtet mbi shërbimet sekrete, kontrollohej nga ish-kryeministri Vojisllav Koshtunica, i cili, si shumë serbë, beson se gjykata e krimeve të luftës është një instrument politik i krijuar për të dënuar serbët. Vendimi për të kryer arrestimin mbetet ende shumë sensitiv, sidomos pasi gjykata shpalli në mënyrë paradoksale të pafajshëm një shqiptar dhe një bosnjak të akuzuar se kishin vrarë serbë.
Qeveria e re e themeluar këtë muaj nga presidenti Boris Tadiç ka deklaruar se dëshiron të mbyllë llogaritë me krimet e luftës dhe të eleminojë pengesat për integrimin Europian. Në prill, Serbia nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme, e cila kishte për kusht të hyrjes në fuqi, bashkëpunimin e Beogradit me gjykatën ndërkombëtare. Marrëveshja ka gjasa që të zhbllokohet tani. Integrimi i të gjithë rajonit mund të përshpejtohet pas kësaj.
Nga një familje e përulur në të superkërkuar
Radovan Karaxhiç lindi më 19 qershor 1945 në Malin e Zi dhe u rrit në varfëri. I ati qe një nacionalist serb që luftoi dhe u plagos në fund të luftës së Dytë Botërore nga partizanët e Titos.
Ai u bë psikiatër i specializuar në neuroza dhe depresion, si dhe një poet amator. Fytyra e tij e butë i dha kredibilitet si udhëheqësi i parë i Serbëve të Bosnjës.
Në prag të luftës më 1992, ai foli kundër planeve për të shpallur Bosnjën një shtet të pavarur, duke thënë se kjo “do të sjellë zhdukjen e muslimanëve sepse muslimanët nuk mund të mbrojnë veten në rast lufte”.
Më 1995 ai u akuzua për krime lufte dhe genocid. Konsiderohej përgjegjës se kishte urdhëruar vrasjen e civilëve gjatë rrethimit 43 mujor të Sarajevës si dhe pati organizuar masakrimin e tetë mijë muslimanëve në Srebrenicë.
Më 1997, dy vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës, ai humbi pushtetin, u fsheh dhe i shpëtoi arrrestimit për 13 vite me rradhë.
Njeriu më i kërkuar i botës, bënte një jetë të qetë në rrethinat e Beogradit
Në Beograd punonte si mjek popullor
Fotografia e mësipërme iu tregua gazetarëve në Hagë nga zyrtarët e Gjykatës Ndërkombëtare. Karaxhiç nuk njihet pothuajse fare, i fshehur pas një mjekre të bardhë dhe flokëve të gjatë. Radovan Karaxhiç, udhëheqësi i kohës së luftës së Serbëve të Bosnjës u arrestua nën akuzën e genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Ai jetonte i lirë në Beograd nën një mbulojë të mirë. Punonte si mjek popullor. Karaxhiç, 63 vjeç, u arrestua në autobuz. Mbi të rëndojnë 15 akuza, nga të cilat dy janë për genocid. Transferimi i tij për në burgun e Hagës është çështje ditësh.
Leksione spiritualiteti nga Karaxhiç
Ndërsa e gjithë bota e kishte shpallur nën kërkim për krime monstruoze, Radovan Karaxhiç jetonte i qetë në Beograd nën një emër të rremë dhe jepte leksione mbi spiritualitetin. Detajet nga jeta e Karaxhiç, u zbuluan nga Balkaninsight, një agjenci rajonale lajmesh që më herët ka qenë protagoniste në zbardhjen e disa prej krimeve më të tmerrshme të luftës në Bosnjë. Karaxhiç fshihej në Beogradin e Ri nën një identitet të rremë... Ai përdorte emrin Dragan Dabiç. Praktikonte mjekësinë alternative në një zyrë private në Beograd. Ai jetonte i lirë dhe identiteti i rremë qe aq bindës as askush nuk qe në gjendje ta identifikonte. Një revistë vendore mbi trupin dhe shëndetin, ka publikuar gjatë viteve të fundit një seri shkrimesh të firmosura nga doktori Dragan David Dabic nga Beogradi. I njëjti njeri jepte leksione mbi të jetuarit me shëndet.
“Unë e takova atë në shtator në një leksion mbi spiritualitetin. Ai dukej njeri shumë i këndshëm. Unë nuk dyshova kurrë se qe Karaxhiç”, - deklaroi Goran Kojiç, kryeredaktor i revistës. “Ai shkoi te ne falas si Dragan Dabiç, një ilaç shpirtëror”. Ai kishte edhe një faqe në internet ku reklamonte trajtimin shpirtëror të sëmundjeve vdekjeprurëse, nga skleroza e shumëfishtë te impotenca, astma etj. duke punuar me metodën e quajtur “Energjia Njerëzore Kuantike”.