E Diel, 1 Nëntor 2026

Raketa ruse shkel hapësirën ajrore polake, NATO dhe Varshava aktivizojnë mbrojtjen ajrore

Një rakete ruse e llojit ende të papërcaktuar ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të forcave të mbrojtjes ajrore dhe tokësore të aleancës ushtarake të NATO-s dhe autoriteteve polake.

Ngjarja ka vënë në gatishmëri të lartë strukturat ushtarake në krahun lindor të Aleancës, ndërsa po kryhen verifikimet për të përcaktuar me saktësi trajektoren dhe llojin e municionit të përdorur.

Menjëherë pas detektimit të shkeljes ajrore, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, Gjenerali Alexus Grynkewich, zhvilloi një bisedë urgjente me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Polonisë për të koordinuar hapat e mëtejshëm mbrojtës.

“Mbrojtja ajrore u aktivizua menjëherë, në kontakt të ngushtë me autoritetet e Varshavës. NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur territorin e saj.” tha Grynkewich.

Hetimet mbi llojin e raketës

Zëdhënësi i Komandës Supreme të Aleatëve për Evropën të NATO-s (SHAPE), Martin O’Donnell, konfirmoi zyrtarisht se aleanca po monitoron nga afër situatën dhe është në bashkëpunim të plotë me ushtrinë polake.

“NATO është në kontakt të ngushtë me autoritetet polake për incidentin, i cili aktualisht është ende nën hetim të plotë,” deklaroi O’Donnell, duke nëvizuar se masat e sigurisë kolektive mbeten të plota në çdo skenar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›