Rama : “Qeveria do hetojë çdo akuzë e denoncim nga publiku ose nga media!”

Kryeministri socialist Edi Rama premtoi se qeveria do hetojë çdo akuzë e denoncim nga publiku ose nga media dhe do të bëjë hetimin e duhur. Duke paraqitur programin e qeverisë së tij në parlament ai tha se “Unë zotohem që çdo qëndrim kritik, apo denoncim ngado që të vijë do të hetohet me seriozitetin e duhur prej nesh dhe për çdo rast kur ai do të gjendet i bazuar, ne do të reagojmë publikisht duke bërë reflektimin e duhur”.
Deklaratën e tij zoti Rama e bëri ndërsa shprehu pakënaqësinë ndaj lajmeve të rreme sipas tij që qarkullojnë në vend. “Lajmet e rreme dhe denoncimet gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, nëpër foltore, ekrane, portale, dëmin psikologjik e bëjnë njësoj, sikur janë më dashje. Ndërkohë unë zotohem që çdo qëndrim kritik, apo denoncim ngado që të vijë do të hetohet me seriozitetin e duhur prej nesh dhe për çdo rast kur ai do të gjendet i bazuar, ne do të reagojmë publikisht duke bërë reflektimin e duhur.” tha zoti Rama.
Kryeministri bëri të ditur se “Qeveria e re do të vendosë në dispozicion të publikut dhe të medias një kanal të posaçëm informimi në faqen e saj zyrtare për çdo akuzë, denoncim, apo pretendim të ngritur publikisht që lidhet me interesin publik”.