E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: 11 maji është votë për në BE, ata që e duan “kënetën” të mos votojnë fare

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ishte sot në Kavajë ku prezantoi arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.

Në fjalën e tij, Rama vlerësoi kandidaturat e Partisë Socialiste për Kavajën, duke nënvizuar se PS “zgjedh kalin më të fortë që të tërheqë më shpejt karrocën e punëve tona”.

“Nëse Kavaja do që në parlamentin e Shqipërisë të ketë përveç dy deputetëve që i ka sot, se i ka në listën e mbyllur, edhe më shumë se dy, i ka zgjedhjet njërën më të mirë se tjetrën. Nëse Kavaja do që përveç tyre, të mos mungojë me shumicën e vet në takimin me historinë në 11 maj, për këtë pasaportë evropiane që nuk është tesera e PS-së, nuk është pasaporta që zëvendëson pasaportën që kemi sot për të lëvizur pa viza, është statusi i ri i shqiptarit në Europë, është pasaporta e identitetit evropian të shqiptarëve, jo vetëm me zakone, por edhe me ligj. Nëse i do të gjitha këto, Kavaja duhet të bëhet shumicë për PS-në. Tek çdonjëri nga kandidatët tanë, kavajasit që nuk janë socialistë i kanë të gjitha arsyet të shohin njeriun, protagonistin shoqëror, politik, të shohin zërat që do të jenë nesër vlerë e shtuar për Kavajën. Kur ne shkojmë në zgjedhje nuk shkojmë për të bërë krushqi, por për të zgjedhur kalin më të fortë që tërheq më shpejt karrocën e punëve tona”, tha Rama.

Duke iu referuar kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, Rama tha se “si mund të zgjedhë një gërrmuq vetëm se është kali i nahijes tate, si mund të vazhdohet mor se nuk e kuptoj”.

Rama u bëri thirrje demokratëve në Kavajë që të mos shkojnë të votojnë “kënetën”.

“Kush është demokrat me njerëzillëk nuk duhet të shkojë ta vonojë “kënetën”, qoftë edhe për të mos hyrë në gjynah me mbajt plakun e huaj rrugëve që nuk lidh më as fjalët. Është të hysh në gjynah. Ai “bufi” atje ngatërron jo fjalët e konakëve, por ngatërron dynjanë dhe tani ngatërrohet me këmbët e veta. Ma ka thënë një kavajas dikur për një njeri që ngatërrohet: “I gjëmon bishtit të vet”, ai gjëmon bishtit të vet. “Do ta bëjmë Kavajën madhështore”, që kur e thotë këtë duhet me i vënë vizë”, tha Rama.

Rama e cilësoi 11 majin si një mundësi historike për vendin, për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Kemi në dorë një mundësi historike, fati e ka dashur që gjithë puna që kemi bërë duke i rënë derës së BE-së, ne bjer e dera mbyll, këtë herë na shpërblehet sepse tani është një moment që jo thjesht për ne, por edhe për interesin e tyre ata e kanë hapur derën. BE është si shtëpi e të pasurve, shtëpitë e të pasurve e hapin derën, jo kur ti i bie, por kur ata kanë interes që të fusin brenda. Na kanë dhënë dy vite kohë deri në 2027-n për të mbyllur negociatat. Por të pasurit i harrojnë shpejt ato që thonë, se i del një interes tjetër më i madh, ne duhet të vrapojmë të mbyllim negociatat brenda 2027-s”, tha Rama.

Rama tha se “akoma jemi të huaj për Evropën” dhe këtë “mund ta ndryshojmë vetëm vetë”.

“Kjo do forcë, do bashkim do të shohësh të kaluarën me sytë e të ardhmes, jo të shohësh të ardhmen me sytë e “bufit të kënetës”. Kjo do të shohësh flamurin kuqezi, jo ngjyrën e ujit të “kënetës”. Të shohësh tek tjetri një fuqi më shumë, sepse të gjithë bashkë në bindje nuk e ndajmë dot. Bindjen që jemi pasardhës të Skënderbeut, Ismail Qemalit e gjithë bartësve të amanetit që ka të shkruar fatin evropian të shqiptarëve”, tha Rama.

Rama shtoi se kjo mundësi historike, “na ka ardhur ne në dorë, siç u erdhi në dorë të gjithë atyre që në mars të ’92-shit votuan PD-në, shumica nuk ishte me PD-në, por ama ishin me Europën, me demokracinë, me lirinë dhe donin t’i vinin vulën një ndarje me të kaluarën. 6 muaj më pas e nxorën prap në pakicë partinë e Bufit, por më 22 mars nuk ishte një zgjedhje për partitë por ishte një zgjedhje për Shqipërinë: Shqipëria në Europë, apo Shqipëria akoma me hijet e së shkuarës”.

Rama tha se ata që duan t’ia japin votën “kënetës” më mirë të mos marrin pjesë në votime.

“Disa tjerë bënë atë që bëra dhe unë. Unë për Bufin nuk shkoja i gjallë për të dhënë votën, se ia kam ndier erën sa e kam pa në Qytetin Studenti, ia kam ndier erën e teserës së Partisë së Punës në xhepin e pardesysë së bardhë, që thoshte: “Ramiz Alia është presidenti jonë”, dhe nuk mund të votoja për Bufin.

“Por, ama, si mundet unë të votoja për një parti tjetër më 22 mars, kur 22 marsi ishte vendimmarrja midis Europës dhe të shkruarës? Nuk mundesha! Atëherë nuk shkova fare në votim. Ata demokratë që e kanë kaq problem fytyrën time, që më kanë problem mua, që na kanë problem ne, që kanë kaq problem komunizmin që ka vdekur – nëse ka një qelizë komunizmi që jeton akoma është mu ke truri i vogël i “bufit të kënetës” – ata të mos shkojnë fare në votim, po jo të shkojnë të hidhen në “kënetë””, tha Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›