E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha shpall paktin për rininë: Punësim brenda vitit, 5 mijë euro grant për biznesin

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbylli sot fushatën elektorale në qarkun e Beratit.

Në fjalën e tij Berisha vuri theksin tek rinia. Berisha tha se në 100 ditët e para “do t% shpallim paktin kombëtar me rininë dhe për rininë”.

Sipas Berishës “ky pakt do garantojë çdo të diplomuar brenda një viti punësim në sektorin publik apo privat”.

“Ky pakt nënkupton krijimin e zyrave të karrierës në të gjitha universitetet me qëllim orientimin dhe punësimin e tyre në ndërmarrje publike dhe private”, tha Berisha.

Berisha shtoi “Startup Albania, rinia në sipërmarrje, do jetë shtyllë e këtij pakti. Një fond fillimisht me 10 milionë euro për të financuar startupet e çdo të riu. Për të financuar projektet e çdo studenti, ëndrrat e tij”.

“5 mijë euro grant për çdo të ri që projekton për të nisur një biznes në Shqipëri. Grantet nga fondi kombëtar do të përdoren për startupet teknologjike, sociale, por edhe për fermerët e rinj që duan të zhvillojnë fermat e tyre”, tha Berisha.

Berisha theksoi më tej se do të ketë “inkubatorë rajonalë në çdo qendër të madhe për t’u afruar biznesmenëve të rinj të gjitha lehtësirat për bizneset e tyre.

Sipas Berishës punëdhënësi që do punësojë të rinjtë do ketë “një ulje 70 përqind në taksa”.

“Shqiptarët duhet ta kuptojnë se të rinjtë janë bërë si ujët e pakët për ne. Ne do bëjmë gjithçka që ata të rrijnë, të ndërtojnë foletë e tyre, të ardhmen e tyre në Shqipëri”, tha Berisha.

Po ashtu Berisha premtoi se “kuotat në raport me grupmoshën do jenë operative si në politikë, si në çdo fushë tjetër”.

“Të rinjtë do jenë promotorët kryesorë të Shqipërisë së teknologjisë së lartë, inteligjencës artificiale, të kriptomonedhave, të dataqendrave”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “çdo çift i ri do ketë një grant 30 mijë euro, me të cilin ai do paguajë interesat e kredisë për çdo fëmijë. Për fëmijën e parë 70 euro bonus. Për fëmijën e dytë 60 euro. Për fëmijën e tretë, nga lindja gjer 23 vjeç, çdo shpenzim do merret përsipër nga shteti. Për fëmijën e katërt e njëjta gjë”.

Berisha premtoi se shkollat do të jenë “8-orëshë, me ushqim, me teknologjinë më të lartë”.

“Askush nuk duhet të harrojë se zemra dhe shpirti i një kombi janë rinia, ndaj dhe ne jemi të vendosur të ndahemi nga kjo periudhë që na i largoi të rinjtë nga vendi si asgjë tjetër në historinë tonë kombëtare”, tha Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›