Rama: 43 zona urbane dhe 98 zona rurale të mbuluara me ujë 24 orë, të tjerat me projekte të financuara

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dha sot një bazë të dhënash të transformimit konkret që ka ndodhur në fushën e furnizimit me ujë në vend.
Përmes një komunikimi live në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, Rama tha se, “kur ne kemi marrë detyrën kishim vetëm 4 zona urbane të mbuluara me ujë 24 orë, dmth një vend i tërë që nuk kishte furnizim 24 orë, po kishte furnizim me pikatore këtu e atje”.
Ndërkohë që sot, vijoi ai, ne kemi 43 zona urbane dhe 98 zona rurale të mbuluara me ujë 24 orë dhe projekti është në vazhdim dhe brenda mandatit të 4 ne do ta mbyllim totalisht sepse janë projekte në zhvillim.
Kryeministri bëri të ditur se, “totali i zonave urbane të Shqipërisë që furnizohet me ujë, është 59. 43 i kemi kryer të tjerat janë në projekte dhe janë të financuara. Ndërkohë që pjesa tjetër e Shqipërisë rurale, të gjitha zonat e banuara intensivisht do të mbulohen me furnizim me ujë”.
“Në Shqipërinë 2030, kjo do të jetë një çështje e mbyllur”, tha ai.
Rama shpjegoi se kjo çështje mori një kohë të gjatë sepse, siç tha ai “në Shqipëri në kohën e komunizmit nuk ka pasur kurrë ujë 24 orë, uji ka qenë kudo me orare”.
Kryeministri deklaroi se nuk ka taksa për ujin, por çmim.
“Ka çmim sepse duhet mbajtur e gjithë infrastruktura dhe investime që sjellin ujin në çezma dhe e gjithë bota e ka kështu” . /j.p/