Rama, 5 ministri shtesë për orekset e revanshit

Bijve të Bllokut s’po u durohet sa të uzurpojnë të gjitha zyrat e baballarëve të tyre. Në kulmin e krizës ekonomike, ata po planifikojnë rikthimin e modelit të super-administratës, me një qeveri të fryrë burokratësh, si dhe me prishjen e strukturave aktuale të dikastereve, çka do sillte një valë të frikshme spastrimesh. Aktualisht konfirmohet një shtim prej 5 dikasteresh, si një mënyrë për të ngopur orekset e revanshit bolshevik
Mediat arritën të kapin në kohë përgatitjet e Edi Ramës për të ndryshuar strukturën e re të kabinetit qeveritar, duke shtuar 5 ministri të reja 14 ministrive aktuale. Burimet nga partitë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane fituese të zgjedhjeve parlamentare bënë të ditur dje për mediat, se 4 janë ministritë që do të ndahen, për të krijuar “filiale” të tyret. Logjika e Edi Ramës si kryeministër është bijë e logjikës së ish-kryeministrit Fatos Nano, pra, kënaqi të gjithë dhe asnjë nuk do të “rebelohet”. Kjo logjik parashikon zgjerimin dhe shumimin e ministrive dhe drejtorive të përgjithshme. Dhe Edi Rama këtë logjikë po ndjek duke shkrirë ministria e Punëve Publike dhe Transportit, e cila pritet të ndahet në Ministrinë e Transporteve, dhe prej ministrisë së vjetër mendohet të dalë edhe një tjetër ministri, ajo e Zhvillimit Rural. Kryeministri në pritje, Edi Rama parashikon të shkrijë strukturën e ministrisë së Brendshme duke rikthyer ministrinë e Rendit dhe ministrinë e Pushtetit lokal. Po ashtu ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës prite të ndahet gjithashtu në dy pjesë, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë dhe në Ministrinë e Energjetikës. Sikurse MTKRS-ja do të shkrihet për t’i lënë vendit plot 3 dikastere të reja. Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të jetë një nga dikasteret, më pas një tjetër ministri do të jetë për Rininë dhe Emigracionin, si dhe një ministri e veçantë do të jetë vetëm për Sportet. Ndërsa e katërta ministri është ngritja në rang dikasteri e Ministrisë së Inovacionit dhe Telekomunikacionit.
Megjithatë duhet thënë se ishin të pritshme këto ndryshime strukturore për dy arsye. E para ka lidhje drejtpërdrejt me revanshin që po përgatit Edi Rama në administratën shtetërore dhe kjo gjë do të bëhet vetëm me ndryshime strukturash dhe ngritje të ministrive të reja sepse në këtë mënyrë mund t’u shmanget padive të shumta gjyqësore të panafakëve të shkarkuar padrejtësisht që do të bllokonin sistemin gjyqësor. E dyta arsye ka lidhje me të parë. Spastrimet në administratën aktuale do të jenë të shumta por jo aq shumë sa për të kënaqur turmën e militantëve që iu është premtuar punë dhe privilegje të reja. Pra, Edi Rama mendon se ngritja e katër ministrive të reja do të punësojë një masë të madhe militantët dhe klientët e Rilindjes. Kjo u pa qartë në festën e fitores së Tiranës ku Pandeli Majko pretendent për ministër iu drejtua të gjithë socialistëve se, “ Do ikin ata që ju kanë nxirë buzën, do vini ju”. Pra, Majko iu premtoi të gjithë socialistëve që nuk janë pak, sipas KQZ, që do të sistemohen në punë.
Gjithashtu shtimi i katër ministrive të reja në strukturën e kabinetit qeveritar pa dyshim do të rrisin koston e administratës në buxhetin e shtetit duke hapur gropa të mëdha financiare. Edi Rama po i del përpara kësaj duke rikthyer Fondin Monetar Ndërkombëtar që do ta këshillojë të heqë dorë nga investimet e reja infrastrukturore, duke i kanalizuar fondet publike në shtimin e administratës publike për të kënaqur orekset revashiste.
Në fakt ky model është paraparë i dështuar në Greqi, ku ish-kryeministri socialist Jorgos Papandreu fryu administratën publike deri në atë masë sa iu kthye boomerang.
Rritja e burokracisë do të shkaktojë një çekuilibër të financave dhe do ta kthejë ekonominë në një lopë që milet për të ushqyer një klientelë të caktuar konjukturale.
Dhe për të mbajtur këtë burokraci super të fryrë me patjetër do të gjenden mënyra për të taksuar edhe më shumë shqiptarët.
Edi Rama është një mjeshtër i gjetjeve të taksave të reja, pasi në Bashkinë Tiranë për 11 vite arriti të vilte edhe taksën e leshit dhe të tabelësh për metër katror.
Sido që të jetë karabinaja shtetërore në shtator, një gjë është e sigurt: nga një anën janë institucionet financiare ndërkombëtare kërkojnë që Shqipëria të ulë borxhin publik dhe shpenzimet e makinës shtetërore, të pakësojë numrin e burokratëve dhe nëpunësve të papune ndërsa në anët tjetër një qeveri të majtë me një oreks të madh.
Kjo gjë do të çojë në rrënimin e financave të shtetit dhe padyshim varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve nga taksat e reja që do të shpikin “specialistët” për të gjalluar vetë.