Ministria e Financave njofton fillimin e procesit teknik të instalimit të SIPQ
Më 12-30 korrik zëvendësohet sistemi informatik financiar i qeverisë
Ministria e Financave njoftoi dje se, në datat 12-30 korrik do të kryhet procesi teknik i instalimit të versionit të ri të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë (SIPQ) dhe kalimi nga versioni EBS11, në versionin EBSR12, sipas kontratës me kompaninë ‘Infosoft System" shpk për menaxhimin e veprimtarisë financiare në kushtet e pamundësisë së përdorimit të SIFQ. Nisur nga fakti se këtë periudhë nuk do të mund të kryhet asnjë veprim financiar pasi do të fiket sistemi kompjuterik SIFQ, që mundëson aktivitetin e financave përmes një Urdhëri të ministrit të Financave Ridvan Bode në datën 5 Maj, ministria e Financave ka urdhëruar kryerjen e të gjitha veprimeve lidhur me pagat e punonjësve përpara kësaj periudhe për të mos pasur asnjë ngërç në ekzekutimin e tyre. Ministri i Financave urdhëron që pagesat domosdoshme të ISSH dhe ISKSH, si dhe të borxhit shtetëror, të ekzekutohen nga Banka e Shqipërisë. "Të sigurohet ekzekutimi i të gjitha pagesave lidhur me pagat e punonjësve për muajin përkatës përpara se sistemi të fiket. Për periudhën në të cilën sistemi do të jetë fikur, ISSH dhe ISKSH nga Llogaria Unike e Thesarit (TSA) në llogaritë respektive në Bankën Qendrore BSH si dhe pagesat e borxhit, të ekzekutohen nga Banka Qendrore me urdhër të ministrit të Financave", thuhet në këtë Urdhër. Në të theksohet se rakordimi i tyre do të bëhet manualisht menjëherë pas përfundimit të instalimit të programit të ri. Ministri i Financave nënvizon se gjithë veprimet e tjera, si kontabilizimi i të ardhurave buxhetore të arkëtuara nga sistemi bankar, regjistrimi i vlerave të prokurimeve, regjistrimi i kontratave, regjistrimi i urdhër-shërbimeve, ekzekutimi i raporteve, proceset e rakordimet dhe çdo veprim tjetër, do të kryhen kur SIPQ të rifillojë funksionimin. Ministri Bode i kërkon gjithashtu administratës tatimore që të mos aplikojë gjoba ndaj institucioneve shtetërore, që për shkak të fikjes së SIPQ vonojnë ekzekutimin e pagesave sipas përcaktimeve ligjore. "Të mos aplikohen gjoba nga sistemi tatimor për shlyerjen e detyrimeve tatimore të institucioneve buxhetore për shkak të vonesave kohore në pagesën e këtyre detyrimeve për arsye të fikjes së SIPQ", përcakton urdhri i ministrit të Financave, Ridvan Bode.
...