Rama: 83 mandatet për negociatat që të mos bëheshin pre e molotovëve

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, mblodhi sot Asamblenë e PS-së në Vlorë. Gjatë fjalës së tij Rama tha se fokusi i PS-së dhe qeverisë mbeten reformat dhe procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Rama u ndal tek akuzat e opozitës që sipas tij synon që të çorientojë opinionin publik dhe të “mjegullojë sytë e anëtarësisë tonë”.
“Të gjithë kërkojnë me çdo kusht të shpikin çdo ditë çfarëdo qoftë për ta goditur edhe për ta lënduar Partinë Socialiste, dhe kjo është normale. Ajo që nuk është normale është që Partia Socialiste, që gjithë trupa jonë, të humbasë fokusin nga gjërat që kanë rëndësi me të vërtetë, të bjerë në vetëkënaqësi, të mos jetë e mobilizuar për të vazhduar në këtë rrugë dhe për të siguruar që ajo fitore e vitit të shkuar të përsëritet dhe, mbi të gjitha, të krijojë imunitet të plotë nga gjithë kjo mjegull, nga gjithë kjo baltë, që synon të çorientojë opinionin publik dhe synon të mjegullojë sytë edhe të anëtarësisë tonë. Ky është synimi, me gjithfarë lloj shpifjesh, fantazish, sajesash, ekzagjerimesh, thashethemesh kot.
“Po pse ka rëndësi të flasim për këtë? Për të kuptuar se si na shikojnë të tjerët dhe se sa me padurim presin që të prodhojnë lajme deri absurde për të krijuar mjegull dhe për të shtuar baltën që hidhet përditë, duke u penguar njerëzve një pamje mbi çfarë ndodh në të vërtetë, çfarë ndodh në të vërtetë, e shumë e shumë gjëra”, tha Rama.
Rama theksoi se stabiliteti institucional është thelbësor për vijimin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke argumentuar se çdo vonesë në proces mund të ketë pasoja serioze.
Rama solli si shembull miratimin e një pakete ligjesh të lidhura me procesin e integrimit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të afateve të dakordësuara me institucionet evropiane.
Ai shtoi se ndryshimet në kalendarin e Kuvendit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ritmin e negociatave me BE-në.
“Ne kemi nevojë të kuptojmë që në këtë fazë të jetës së vendit dhe në këtë fazë të negociatave na duhet shumë qëndrueshmëri, na duhet shumë vendosmëri, na duhet shumë stabilitet, sepse është shumë e rëndësishme që të mos kemi humbje kohe dhe luhatje.
“Në fund të janarit, parlamenti votoi, mos gaboj, 27 ligje deri në mëngjes. Ishin 27 ligje që ishin pjesë e negociatave, ishte një paketë e tërë e mbledhur për t’u kaluar në fund të janarit, sepse ashtu ishte kalendari. Tani, për të kuptuar të gjithë ju si funksionon kalendari i dakordësuar me Komisionin Europian dhe sepse koha në këtë proces është flori në kuptimin e vërtetë të fjalës, po ju them që unë nuk mund të isha dot në atë seancë sipas datës që ishte caktuar, sepse duhet të isha jashtë dhe e kam marrë në telefon personalisht në Bruksel dhe ju thashë: “Ju lutem, duhet të jem edhe unë aty, se s’ka kuptim, dhe plus që ne i kemi ato vota me ‘kandar farmacie’, se ishin 7 nga ato 27 ligje që donin 84 vota.” Thashë: “Ka mundësi ta shtyjmë tre ditë seancën, pra mos ta bëjmë kur ishte dita, po ta bëjmë tre ditë më mbrapa?” Përgjigjja ishte jo. E kuptoni tani si mund të jetë përgjigjja “jo”? Duhet bërë atë ditë. Pse? Se po u shty tre ditë, pastaj do shtyhet, nuk hyn dot në Bruksel në atë mbledhjen e asaj dite që është caktuar, do pritet dy javë. Po u vonua dy javë, pastaj është problem sepse shtyhen afatet. Pra ky është intensiteti”, tha Rama.
Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara, Rama tha se 83 mandatet që iu kanë dhënë qytetarët janë për të vijuar reformat dhe për të shmangur bllokimet politike në procesin e integrimit.
“Imagjinojeni tani sikur ne të mos i kishim 83 vota, po të kishim 78 vota. Edhe në janar duhet të kalonim ato ligje për të cilat Komisioni Europian nuk priste dot tre ditë dhe të na duheshin “molotovët” për të bërë 84. Përfytyrojeni çfarë fati do kishte Shqipëria me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Bashkimi Europian, me gjithë respektin dhe dëshirën, do thoshte: “Po s’u bënë këto, nuk ecim më”, dhe fati që po i buzëqesh Shqipërisë do nxihej përsëri, dhe Shqipëria do ta humbte përsëri një shans historik, siç ka humbur në të shkuarën.
“Kjo është ajo që ka ndodhur në 11 majin e vitit të kaluar. Populli shqiptar, falë të gjithëve ju dhe të gjithë ata si ju që janë pararoja e kësaj lëvizjeje kombëtare për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian më në fund, na erdhi në takim në 11 maj dhe na dha 83 mandate. 83 mandate jo për mua, por për të mos lejuar që negociatat të bëheshin pre e molotovëve dhe “molotovarëve”. Ne këtë gjë duhet ta kemi parasysh çdo ditë dhe çdo ditë duhet të bëjmë çmos që Partinë Socialiste ta bëjmë më të fortë, dhe çdo ditë duhet të kemi parasysh që, kur të vijë takimi tjetër elektoral, ne ta konfirmojmë Partinë Socialiste në të gjitha bashkitë e vendit”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se 83 mandatet duhen përdorur, sipas tij, për të avancuar reformat shtetformuese dhe për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Le të thonë ç’të duan, le të hidhen përpjetë, nuk duhet të na interesojë. Ne duhet, natyrisht, të jemi të vetëdijshëm për gjërat që nuk shkojnë dhe për gjërat që duhet t’i korrigjojmë. Por krahasimet me historinë, edhe historitë me diktatura e me autokraci, le t’i bëjnë sa të duan. Ne duhet të vazhdojmë drejt, sepse 83 vota i kemi, por as i kemi përdorur dhe as do t’i përdorim për të përqendruar pushtet. Do t’i përdorim për të vazhduar të bëjmë shtetin europian të shqiptarëve dhe shteti europian i shqiptarëve bëhet duke kryer të gjitha reformat dhe duke bërë të gjitha detyrat që na çojnë në Bashkimin Europian, sepse nuk i bëjmë për ata”, tha Rama.
/m.q/