E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Administrimi i QSUNT me qendër ekselence evropiane, 1 miliard euro buxheti për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Buxheti për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale për vitin 2025 arrin në 1 miliard euro.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama përmes një komunikimi live në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, duke iu përgjigjur një qytetari për shëndetësinë.

“Tani këtu shkop magjik nuk ka, unë e di që çfarë kemi bërë nuk e ka bërë askush, do ta them këtë me fakt dhe askush më parë po them që buxheti i shëndetësisë ku ne morëm detyrën ishte 250 milionë euro sot, është 760 milionë euro, trefish. Po të llogarisësh buxhetin për mbështetjen sociale sepse janë bashkë ishte 130 milionë sot është 260 milionë dhe të dyja bashkë janë 1 miliard euro”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “600 mijë shqiptarë të pasiguruar marrin shërbim shëndetësor falas njësoj si të tjerët edhe pse s’kanë paguar ndër vite kontribute sepse s’kanë pasur mundësi. 53 spitale të ndërtuar nuk i ka ndërtuar askush asnjëherë, nga të cilat 10 nuk ekzistonin fare, 43 të tjerë janë prishur komplet, rrëzuar dhe rindërtuar dhe pajisur me aparaturat e teknologjisë së fundit që nuk kanë ekzistuar fare më parë”.

“Çmimet e barnave janë 30% në tërësi më të ulëta se në 2013, sot që flasim. Sepse hoqëm komplet TVSH e barnave dhe nga tjetër kemi dyfishuar fondin për barnat e rimbursueshme duke shtuar 200 medikamente të reja dhe janë 210 mijë pensionistë me shifra e fakte që përfitojnë 100% barna të rimbursueshme”, nënvizoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se “në mandatin e katërt përmbyllim transformimin epokal të shëndetësisë duke përmbyllur transformimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“E dini çfarë do të bëjmë në QSUNT, jemi në proces kemi hedhur bazat do të marrim një qendër ekselence evropiane, nuk e them ende emrin, e dimë shumë mirë kush është dhe do të bëjmë administrimin e QSUNT me atë qendër ekselence evropiane. Do të ndërtojmë këtu do të sjellim si pjesë të kompleksit universitar një nga universitetet më të mirat në Evropë në mjekësi që do ta bashkojmë me Universitetin tonë të Mjekësisë. Në Shqipërinë e 2030 do të kemi një destinacion për shërbime shëndetësore dhe kurime e ndërhyrje kirurgjikale nga më të mirat e Evropës”, tha Rama. /k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›