Rama-Alibeajt: Drafti, i papranueshëm
Takimi i djeshëm në Ministrinë e Drejtësisë, me tone të ashpra. Asnjë marrëveshje nuk është arritur
Kryeprokurorja Ina Rama kundërshton në zyrën e Alibeajt nenet për imunitetin, pagat dhe pezullimin nga detyra
TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama i bën të qartë ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, se projektligji i ri për prokurorinë është i papranueshëm. Debatet në distancë për disa nene të draftit të përgatitur nga Alibeaj janë zhvendosur dje në zyrën e këtij të fundit, ku Prokurorja e Përgjithshme mësohet se ka shprehur rezervat e saj, më së shumti për nenet që flasin mbi heqjen e imunitetit të prokurorëve, uljen e pagave dhe pezullimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm. Burime të besueshme nga të dyja palët bëjnë me dije se kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të heqë nga projektligji tetë pikat e kontestuara jo vetëm nga prokuroria, por edhe nga misioni EURALIUS apo ai OPDAT, të cilët japin asistencën e tyre në sistemin shqiptar tëdrejtësisë. Gjatë bisedës “kokë më kokë”, kryeprokurorja Rama ka këmbëngulur që prej projektligjit të ri të hiqen nenet e kontestuara, por duket se nuk është arritur asnjë marrëveshje me ministrin Alibeaj.
***
Takimi i djeshëm mes kryeprokurores Ina Rama dhe ministrit Enkelejd Alibeaj është konfirmuar si nga këshilltarja për mediat e Ministrisë së Drejtësisë, ashtu edhe nga zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk ka pranuar të komentojë temat e diskutuara, duke pohuar se takimi ka qenë “kokë më kokë” dhe nuk do të ketë asnjë njoftim zyrtar mbi të. Megjithatë, burime të besueshme të “Shekullit” bëjnë me dije se kryeprokurorja Rama ka qenë e vendosur në kërkesat e saj, drejtuar Alibeajt, duke i kërkuar atij rishikimin e projektligjit për funksionimin e organit të akuzës. Sipas pretendimeve të kryeprokurores, është i patolerueshëm dhe i papranueshëm neni 17 i këtij projektligji që shfuqizon nenin 36 të ligjit ekzistues, që u jepte prokurorëve njëfarë mbrojtjeje, duke kërkuar lejen e kreut të akuzës për procedimin penal të tyre.
***
Dy nenet e tjera të kundërshtuara nga Ina Rama mësohet të kenë qenë ai me numër 23, që sjell uljen e pagave në prokurori dhe nenit 4, ku përcaktohen kriteret e pezullimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm. Megjithëse diskutimi mes tyre ka vazhduar për disa kohë, Alibeaj i ka qëndruar mendimit të tij se projektligji është i mirë dhe nuk cënon pavarësinë e prokurorisë. E vetmja marrëveshje e arritur gjatë takimit të djeshëm duket se është ai i organizimit të një tavoline ekspertësh, gjatë së hënës, për të diskutuar draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Projektligji për Prokurorinë është denoncuar pak javë më parë nga diplomatë të Ambasadës Amerikane, të cilët e kanë cilësuar draftin e ri si një tentativë për t’i hequr pavarësinë organit të akuzës. Më pas, drafti është kundërshtuar si nga Shoqata e Prokurorëve, ashtu edhe përfaqësuesit e misioneve EURALIUS dhe OPDAT, të cilët asistojnë prej kohësh sistemin tonë të drejtësisë.
REAGIMI
Hajdari: Drafti cënon pavarësinë e prokurorisë
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, njëkohësisht kreu i Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka kundërshtuar pak ditë më parë për mediat, draftin e Ministrisë së Drejtësisë. “Drafti i paraqitur nga Ministria e Drejtësisë nuk është konsultuar me prokurorë dhe ekspertë të fushës, pasi ky draft cënon rëndë pavarësinë e institucionit. Prokurorët kanë thjesht një garantim të vendit të tyre të punës, që në rast se dyshohen për kryerjen e një vepre penale, merret një autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Por me draftin e ri, kjo siguri humbet, pasi çdo qytetar i pakënaqur mund të kallëzojë një prokurordhe kjo sjell automatikisht pezullimin e tij nga detyra”,-mësohet të ketë thënë Hajdari, që sipas tij nëpërmjet këtij ligji ekzekutivi lejohet të arrestojë prokurorin pa u marrë miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm.
Kryeprokurorja Ina Rama dhe ministri Enkelejd Alibeaj inspektojnë ambientet e reja
“Pallati i Drejtësisë” gati, Alibeaj e Rama ndajnë zonat
TIRANË- Pas një takimi me tone të ashpra për draftin e prokurorisë, kryeprokurorja Ina Rama dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kanë përmbushur detyrimet e tyre institucionale, duke inspektuar së bashku ambientet e reja të Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, kryeprokurorja Rama, e shoqëruar nga drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, dhe ministri i Drejtësisë, i shoqëruar nga kryetari i Gjykatë për Krime të Rënda, Dritan Hallunaj, kanë vizituar të gjitha ambientet që janë ndërtuar në këtë institucion, duke i parë edhe ndarjet mes ambienteve që do të shfrytëzohen nga gjykata dhe prokuroria. Për ndërtimin e kësaj godinë moderne ka financuar Bashkimi Evropian me një shumë prej 5 milionë euro në kuadrin e Planit Kombëtar të Veprimit CARDS, fonde këto të ndara që nga viti 2003. Mësohet se përurimi i kësaj ndërtesë do të kryhet më 11 shtator, ku gjyqtarët dhe prokurorët do të vendosen në ndërtesën e re të njohur tashmë si “Pallati i Drejtësisë”. Ngritja e kësaj godine ka ardhur për shkak të ankesave nga ana e zyrtarëve të gjykatave në lidhje me mungesën e hapësirave në gjykatat ekzistuese. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ndodhet prej dy vitesh në në fjetoren e ish-repartit të forcave të RENEA-s, të sajuar si gjykatë, ku pas datës 11 shtator do të vendosen gjyqtarët penalistë të Gjykatës së Tiranës, ndërsa Gjykata e Apelit për Krime të Rënda është akomoduar në ambientet e Gjykatës së Apelit të Tiranës. Gjithashtu, në këtë ndërtesë të re do të jenë edhe prokurorët e dy prokurorive të cilët deri tani kryenin detyrat e tyre pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Nenet e kundërshtuara
Neni 17
Neni 36 shfuqizohet
“Prokurorët nuk mund të ndalohen apo të arrestohen pa pëlqimin e prokurorit të Përgjithshëm, me përjashtim të rasteve kur kapen në flagrancë, duke kryer një vepër penale”.
Neni 4
Pezullimi i Prokurorit të Përgjithshëm
1-Prokurori i Përgjithshëm pezullohet në ushtrimin e detyrës kur merr cilësinë e të pandehurit, sipas nenit 34 të Kodit të Procedurës Penale
2-Presidenti i Republikës, brenda 24 orësh komandon në këtë detyrë prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme me vjetërsinë më të gjatë në profesion. Dekreti i Presidentit shqyrtohet në Kuvend brenda 24 orësh
3-Pezullimi i Prokurorit të Përgjithshëm vazhdon deri në marrjen formë të prerë të gjykatës në lidhje me nisjen e procedimit penal
Neni 23
Pagat dhe shpërblimet
Paga e Prokurorit të Përgjithshëm është e barabartë me pagën e anëtarit të Gjykatës së Lartë
Debati për cënimin e pavarësisë së Prokurorisë detyroi ministrin të mbledhë grupet e interesit për diskutim
Drafti i Alibeajt rikthehet në tryezën e ekspertëve
TIRANË- Deklaroi se projektligji nuk synon të vërë prokurorinë nën varësinë e ekzekutivit, ngulmoi se imuniteti është arkaik dhe duhet zhdukur si fenomen, mbrojti draftine përgatitur prej tij, edhe pas rezervave të ndërkombëtareve, por vendosi të bëjë në fund, atë që duhej bërë në fillim: diskutimin me grupet e interesit. Përmasat e debatit për cënimin e pavarësisë së prokurorisë detyruan ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të kthejë draftin për diskutim, edhe pse beson se pakgjë duhet ndryshuar në të. Burime nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se paraditen e sëhënës pritet të organizohet një tryezë me grupet e interesit, për të diskutuar draftin “Për Prokurorinë”. Në këtë tryezë pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e misioneve EURALIUS dhe OPDAT, të cilat kanë kundështuar disa nene të projektligjit.
***
Burime të “Shekullit” bëjnë me dije se paraditen e së hënës, në orën 10, në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë do të zhvillohet një tryezë me përfaqësues të dikasterit të Drejtësisë, të Prokurorisë së Përgjithshme, të misioneve të huaja që asistojnë në vendin tonë si dhe me juristë, për të diskutuar mbi inisiativën e fundit të qeverisë për të ndryshuar ligjin për Prokurorinë. Takimi vjen pas kundërshtimeve publike që i janë bërë draftit të përgatitur nga Alibeaj, më së shumti për cënimin e frymës që Kushtetuta i sanksiononProkurorisë, si organ i pavarur, por edhe për çështje të tjera të debatueshme si ulja e sistemit të pagave apo funksioni i hallkave në këtë institucion.
***
Neni më i kundërshtuar deri më tash në draftin e Alibeajt duket se ka qenë shfuqizimi i mbrojtjes së prokurorit, në rast të ndjekjes së tij penale. E cilësuar rëndom si imunitet, kjo mbrojtje nuk ka qenë tjetër veçse autorizimi i Prokurorit të Përgjithshëm, për procedimin, hetimin apo arrestimin e një prokurori. Me draftin e ri, një prokuror pezullohet nga detyra, sapo në adresë të tij mbërrin një kallëzim penal. Të njëjtin kundërshtim ka hasur edhe neni për pezullimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, fill pasi ai procedohet penalisht nga një prokurori e shkallës së parë. Këto ndryshime të ligjit ekzistues kanë hasur në kundërshtime të ashpra, pasi janë cilësuar si tentativa për të vënë nën “zap” këtë institucion.
NDËRKOMBËTARËT
EURALIUS, rezerva për draftin e Alibeajt
TIRANE- Organizmat ndërkombëtarë që asistojnë sistemin shqiptar të drejtësisë kanë shprehur rezervat e tyre, mbi draftin e propozuar prej Alibeajt. Roland Miklau, shefi i misionit evropian EURALIUS, që ndihmon drejtësinë shqiptare dhe veçanërisht reformën në këtë sistem, është shprehur se drafti përmban disa pika me të cilat misioni nuk është dakord. Ai nuk i bëri publike pikat e projektligjit me të cilat evropianët nuk janë dakord, ndërsa tha se më parë projektligji po diskutohej me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por së fundi diskutimet u ndërprenë dhe në projektligj janë bërë propozime me të cilat EURALIUS nuk është plotësisht dakord. Miklau vlerësoi pika të tjera të projektligjit që sipas tij, kanë frymë evropiane. Duket se qëndrime të tilla janë mbajtur edhe më parë nga përfaqësuesit e EURALIUS, që kanë marrë pjesë në diskutimet e zhvilluara gjatë hartimit të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë. Reforma në drejtësi konsiderohet si një nga fushat strategjike në drejtim të integrimit të vendit në BE, ndaj edhe procesi i hartimit të projektligjit “Për Prokurorinë” duket se ka tërhequr vëmendjen dhe interesin e ekspertëve të misionit evropian që asiston drejtësinë shqiptare. Pikat me të cilat evropianët duket se nuk janë dakord kanë të bëjnë me kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, kriteret e zgjedhjes së tij, si dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera në ligjin aktual.