E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, shkrihet sërish Policia Elektrike

 

Procesi i privatizimit të OSSH-së ka bërë të nevojshme që një strukturë e tillë kontrolluese të mos ekzistojë më

TIRANË- Shkrihet për të dytën herë Policia Elektrike. Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë Elektrike për një ndryshim në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, ku dhe parashikohet shkrirja e departamentit përgjegjës të kontrollit të energjisë elektrike (ish-Policia Elektrike) që aktualisht vepron si pjesë e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Një masë e tillë është ndërmarrë për shkak të ndryshimit të statusit të pronësisë së kësaj korporate, e cila është në proces privatizimi. Me qëllim ruajtjen e përdorimit dhe shfrytëzimit të energjisë elektrike nga konsumatori, ka qenë organizuar struktura e posaçme e Policisë Elektrike, që funksiononte në bazë të ligjit me të njëjtin titull dhe që kishte në kompetencë vënien e gjobave ndaj klientëve qofshin ata familjare apo biznese për rastet e shkeljeve. Me ligjin 9740, të vitit 2007, u shfuqizua ligji për “Policinë Elektrike” dhe kompetencat e kësaj strukture i kaluan KESH-it, brenda të cilit, me një ligj të veçantë u krijuar një strukturë tjetër përgjegjëse e kontrollit të energjisë në nivel departamenti. Por fillimi i procesit të privatizimit të KESH-it dhe miratimin në marsin e shkuar të ligjit “Për privatizimin dhe përcaktimin e formulës e të strukturës së privatizimit të OSSH-së” ka bërë të nevojshme që një strukturë e tillë kontrolluese të mos ekzistojë më. Kjo, pasi siç shpjegohet edhe në relacionin shoqërues të këtij drafti, shoqëritë e KESH-it që do të privatizohen do të duhet të marrin vetë masat për kontrollin e përdorimit të energjisë nga klientët. Në këtë mënyrë, struktura ekzistuese në KESH që merret me kontrollin e energjisë elektrike, së bashku me kompetencat që ka në bazë të ligjit, rezulton tashmë e panevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›