E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Anëtarësimi në BE garanton fuqi të re financiare për vendin

TIRANË, 6 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në një takim me skuadrën e të rinjve të PS-së Tiranë u ndal te përfitimet financiare që do të ketë vendi nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Rama u shpreh se duhet të jemi anëtarë të Bashkimit Europian sa më parë për të marrë një fuqi të re financiare.

“Përveç të gjitha të mirave të tjera që ka anëtarësimi, në momentin kur ne hyjmë në Bashkimin Europian hyjmë në kategorinë e shteteve që quhen përfituese. Pra vendet e zhvilluara ndihmojnë ato që duhet të zhvillohen më shpejt”, sqaroi ai.

Kjo, sipas kryeministrit, “do të thotë që krahas buxhetit që vendi ka nga të ardhurat e taksave do të ketë dhe një buxhet ekstra për të gjitha gjërat për të cilat kemi ende shumë nevojë”.

“Edhe për rininë, për universitetet, për punësimin e të rinjve, për Garancinë Rinore që quhet në një fjalë të vetme, Bashkimi Europian është një ‘game changer’ i jashtëzakonshëm, ndryshon komplet lojën”, tha ai.

Përtej kësaj, Rama theksoi se “anëtarësimi në BE është një ngritje e jashtëzakonshme morale, me një pasaportë që i jep qytetarëve shqiptarë të njëjtën vlerë dhe të drejta në qytetërimin e organizuar europian, njësoj si francezët dhe gjermanët”.

“Pra, jemi një vend, kemi të njëjtat rregulla, kemi të njëjtat aksese, por sigurisht kemi institucionet e veçanta të vetëqeverisjes së brendshme, ndërkohë që kemi një qeverisje të përbashkët. Është komplet gjë tjetër dhe kjo garanton pakthyeshmërinë mbrapa që nuk është e garantuar asnjëherë për sa kohë ne nuk jemi aty. Ne në Europë ishim edhe kur erdhi Sudja me Rrapushin, ishim mu në mes të Europës kur Sudja dhe Rrapushi erdhën dhe morën në dorë financat e Shqipërisë me bekimin e Kujtimit, Kujtim Gjuzit”, theksoi ai.

Rama theksoi se anëtarësimi në BE garanton që liria individuale nuk mund të diskutohet më dhe nuk mund të cenohet më në asnjë formë nga askush.

“Barazia juaj përpara ligjit nuk mund të vihet më në dyshim dhe nuk mund të diskutohet më nga askush këtu se nuk diskutohet dhe në Europë që do jeni të barabartë përpara ligjit njësoj si të tjerët dhe askush nuk mund t’ju diskutojë atje meqë jeni shqiptarë, askush nuk mund t’ju thotë “Çohu, ik tani”. Nuk i kanë të tjerët që kanë dalë nga diktaturat dhe janë përpjekur të bëjnë demokraci e prapë kanë rënë nëpër situata të tmerrshme se gjysmë të tmerrshme ose gjysmë-autokratike, sepse nuk e kanë Bashkimin Europian. Standardet demokratike të bashkëjetesës, liria për punë, e drejta për punë, e drejta këtu, e drejta aty, të gjitha të garantuara. Këto gjëra nuk i kanë afganët, nuk i kanë irakianët”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›