E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Arkëtimi 100% i energjisë së faturuar çoi në uljen me 10,5% të çmimit

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se qeveria arrin të arkëtojë sot 100% të energjisë së faturuar, çka edhe krijoi mundësinë e uljes së çmimit për konsumatorët familjarë.

Në takimin me asambletë socialiste të njësive 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit, Rama kujtoi mungesën e furnizimit të vazhdueshëm me energji një dekadë më parë, dhe kur gjysma e qytetarëve nuk e paguanin energjinë që konsumonin.

“Ne kishim një sistem elektroenergjetik që në këtë orë deri një dekadë më parë, në këtë rrugë këtu, për të ardhur për të bërë këtë mbledhje, duhet ta bëje me shoqërinë e qemanes së gjeneratorit dhe kur dilje në rrugë në këtë periudhë të vitit, duhet të dëgjojë gjeneratorët që i mbanin nisur njëri-tjetrit, sepse 50% e miletit nuk e paguante energjinë”, u shpreh Rama.

Sot, tha ai, kemi arritur në 100% arkëtime, ndërsa çmimi u ul me 10,5% për familjarët.

“Dhe nga ana tjetër kemi bërë uljen e parë të çmimit të energjisë, që nga viti 1990. Energjia vetëm është rritur, është rritur, është rritur. “Jo, po u këputët ju, se e ulët një lek”. Po, ulëm një lek, në nëntë lekë, nuk ulem një lek në një mijë lekë. Nga 9,5 u bë 8,5, pra u ul 10,5%. Ky 10,5% në çdo kilovat, në fund fare për një pensionist, për një familje me të ardhura të ulëta është shumë”, u shpreh ai.

Kryeministri solli në vëmendje se pensionistët janë mbështetur në faturën e energjisë.

“Ne, denbabaden pensionistëve kryefamiljarë u subvencionojmë një pjesë të madhe të energjisë elektrike, se flasin njerëzit: “Energjia elektrike, ilaçet”, po në qoftë se i shohim se çfarë bën shteti, çfarë bën kjo qeveri që te energjia për pensionistët, te ilaçet”, tha ai.

Ai informoi se qeveria subvencionon 120 milionë euro për ilaçet, që të jenë të rimbursueshme dhe që të mos bien në kurrizin e njerëzve.

“E bën shteti atë punë”, theksoi ai.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›