Rama: Automotoparku në Elbasan, qendra e trajnimeve, testeve dhe certifikimeve

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Automotoparku i Elbasanit, cirkuiti i parë motosportiv shqiptar, i cili aktualisht po zbatohet në terren përbri lumit Shkumbin, është një platformë e re ultramoderne, e cila çel një epokë të re zhvillimi jo vetëm për Elbasanin, por për mbarë vendin, duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën e rajonit për sportet automotoristike, si edhe eventet ndërkombëtare të niveleve më të larta, që pritet të sjellin nga e gjithë bota ndjekësit e Formula Uno.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj gjatë prezantimit sot të fituesve të Startup dhe Startup Grant2024, tha se “cirkuiti që po ndërtohet në Elbasan nuk është një investim për Formula Uno, po një investim që në zemër të vet ka sigurinë rrugore”.
“Kërkesa jonë është kjo, para se të arrijmë te këto fondet europian se dëgjojmë kompani që njohim që kanë arritur të marrin 25 milion euro për infrastrukturë, kjo do ishte pra fonde pak më të mëdha për të arritur të krijojmë një infrastrukturë në Shqipëri dhe të nxisim edhe figura të reja që punojnë te kjo infrastrukturë, pra mos të varemi nga figura të jashtme, por edhe të krijojmë modelet tona unike të testimit që pastaj t’i shesim te prodhuesit e makinave”, tha një i ri i pranishëm.
“Në rastin konkret ajo që mendoj se mund të jetë interesantë është bashkëpunimi me qendrën që ne po ndërtojmë në Elbasan, ku emri i ka dalë si cirkuiti shqiptar i Formula 1, se do të bëhet cirkuiti, por nuk është një investim për Formula 1 thjeshtë, është një investim që në zemër të vet ka sigurinë rrugore dhe aty do të jetë qendra e trajnimeve, e testeve, e certifikimeve dhe modeli është zhvilluar në Austri me shumë sukses dhe me austriakët që kanë zhvilluar atë model dhe kanë administruar atë model, është i ati dhe i biri që ka qenë edhe pilot i Formula 1. Ne kemi punuar për cirkuitin, por kemi punuar dhe për gjithë këtë. Madje aty do të zhvillohen shumë, gjithë llojet e garave motorike, me motor, me motoçikleta, me vetura, me garat për fëmijë etj, etj dhe ajo mund të jetë një pikë ku të ndërthuren ambiciet dhe vlera e saj që bëni ju me çfarë po përpiqemi të bëjmë ne. Në mënyrë që të keni një hapësirë që jeni ju që e administroni nga pikëpamja e sigurisë, nga pikëpamja e testimeve, etj etj”, u shpreh Rama. /m.q / a.g/