Rritje e kapaciteteve parandaluese dhe menaxhuese të zjarreve në bord të anijeve

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Efektivët e Sigurisë Portuale në Durrës kanë përmbyllur një fazë trajnimi intensive me qëllim parandalimin dhe menaxhimin e zjarrit në bordin e anijeve. Sipas një njoftimi të Autoritetit Portual Durrës, synimi i këtij trajnimi është rritja e performancës së ekipit të emergjencave civile, ndërsa në të morën pjesë efektivët e FSPD dhe Repartit PMNZSH të Portit të Durrësit.
Ky trajnim u zhvillua në kuadër të programit vjetor të trajnimeve të CEMA, me mbështetjen e veçantë të Forcës Detare.
Gjatë tre ditëve, pjesëmarrësit u trajnuan për parandalimin dhe kontrollin e zjarreve në mjetet lundruese dhe menaxhimin e situatave emergjente. Ditën e fundit, ekipi iu nënshtrua një stërvitjeje praktike për shuarjen e zjarrit në hapësirat detare dhe zbatimin e procedurave post-incident.
Trajnimi u përmbyll me ceremoninë e certifikimit të personelit, ku ishin të pranishëm kreu i APD, Kreshnik Bajraktari dhe drejtues të lartë të Forcës Detare.
Nga ceremonia e marrjes së diplomave të efektivëve të FSPD 1 nga 15/a.f/