Rama: Autonomia e universiteteve kushtëzohet nga kontrolli i performancës

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim” me profesorin Selami Xhepa u ndal sot edhe te pjesa e autonomisë financiare të universiteteve.
“Ne u kemi dhënë autonominë financiare edhe universiteteve, por kontrolli i performancës është i tillë që nuk e maksimizon efektin që normalisht duhet të kishte autonomia. Kur vjen puna te ministritë, ne e kemi vuajtur për një kohë të gjatë dhe vazhdojmë ta vuajmë edhe sot në një pjesë të konsiderueshme, pjesën që ministria i bën të gjitha. Ndërkohë, ministritë duhet të bëjnë politika dhe faktin që ministritë i bëjnë të gjitha është shumë e vështirë pastaj të gjesh në nivelin e parë të qeverisë, në ministritë, hapësira ku diskutohet, analizohet dhe projektohet e ardhmja. Është një rendje pas të tashmes, ku rutina luan një rol të madh në presionin që ushtron dhe punohet me një lloj emergjence”, u shpreh kryeministri Rama.
Sipas kryeministrit, pavarësisht se këto fenomene janë përmirësuar si pasojë e monitorimit nga Bashkimi Evropian dhe procesit të integrimit, sërish duhet një riorganizim në raport me sektorët dhe politikat publike.
“Këto janë tre fenomene që pavarësisht se mund të jenë kufizuar në raport me atë që kanë qenë më përpara, janë përmirësuar si rezultat i integrimit dhe monitorimit të Bashkimit Evropian. Këto janë tre pika ku ne duhet të synojmë të rindërhyjmë për të riorganizuar dhe rishpërndarë peshën dhe përgjegjësinë, sepse ndryshe e kemi të pamundur që të kemi një qasje politike në raport me sektorët dhe politikat publike”, tha kryeministri Rama.
/a.f/