E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha e Topalli promotorë të dhunës në familje

Edi Rama i ka quajtur sot Berishën e Topallin si promotorë të dhunës në familje. Gjatë fjalës së tij në forumin  “ Për ekuilibër gjinor në vendimmarrje” organizuar nga Forumi i Gruas Socialiste në bashkëpunim me Fondacionin Qemal Stafa ai tha: “Ende nuk jemi aty ku unë dëshiroj dhe ku të gjithë së bashku duam të jemi. Ende kemi zona të tëra të Shqipërisë për integrimin e grave dhe vajzave në strukturat elementare të organizimit të partisë, por sot, jemi e vetmja parti politike në Shqipëri, që në forumet e veta drejtuese, ka një ekuilibër gjinor perfekt, 50 me 50 %” .

Sipas Ramës qeveria nuk ka bërë asnjë lidh dhe nuk ka marrë asnjë masë për eliminimin e dhunës brenda familjes.

Rama ka dënuar edhe fjalorin e përdorur nga Berisha dhe kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli në foltoren e Kuvendit.

“Kulmi i burrnisë asht me i poshtnue nanën dhe motrën, deputetit opozitar të radhës. Sepse aty, tek nana dhe motra, horri ban kërdinë, kur duhet me u përballë me qytetarin e urtë dhe të mirë, që është i urtë dhe i mirë sepse respekton nënën e tij, motrën e tij, familjen e tij dhe nënat dhe motrat e të gjithëve” – tha Rama.

“Duhet të bëjmë gjithçka që të rrisim prezencën e nënave dhe të motrave në parlamentin e Shqipërisë, që të rrisim përfaqësimin e nënave dhe të motrave në të gjitha forumet vendimmarrëse, nga salla e një kuvendi që është brima e fundit në kavallin e botës demokratike për sa i takon pranisë së grave dhe ku gratë janë të detyruara të sillen si më të këqijtë e burrave për të mos u ndjerë keq, duke bërë të mundur që zëri i arsyes, që ndjeshmëria e pjesës delikate dhe njëkohësisht e pjesës që mendon me zemër, që është gruaja, nëna, motra, të përmirësojë përmbajtjen e parlamentit”

“Jeta jonë e pasigurt”

Rama nuk ka lënë pa përmendur në këtë forum edhe tragjeditë e kohëve të fundit, ngjarjen e Gërdecit dhe vdekjen e dëshmitarit kyç të çështjes, Kosta Trebicka.

“Nuk ka asnjë dyshim se tragjedia e Gërdecit që mori 26 jetë njerëzish, apo se vdekja misterioze e një dëshmitari kyç për atë tragjedi, janë pika që përmbysin kupën në sytë tanë lidhur me çështjet e mëdha të sigurisë dhe të drejtësisë, por kupa u mbush dita ditës dhe pasi është përmbysur rifillon të rimbushet në çdo vend të Shqipërisë, ku ka filluar fenomeni rrëqethës i vdekshmërisë foshnjore dhe ku janë për ditë e më shumë, nënat që duhen të ballafaqohen me këtë fenomen, tërësisht të braktisura, familjet që duhen të ballafaqohen me këtë humbje, ndërkohë kur sipas të gjithëve ky fenomen ishte çështje e së shkuarës dhe jo një problem i së ardhmes” – përfundoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›