Rama: Berisha të ngrejë komision parlamentar për zgjedhjet

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka kërkuar sot që kryeministri Sali Berisha të ngrejë një komision hetimor e cila të kryesohet nga opozita për hetimin e zgjedhjeve. Në të kundërt, Rama theksoi se opozita do vijojë protestat. "Unë e ftoj Sali Berishën t'i japë fund bojkotit të opozitës, duke i dhënë popullit opozitar të drejtën të shohë gjithshka ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara, mu aty në parlamentin e Shqipërisë përmes atij mekanizmi kushtetues që e garanton këtë; komisionit hetimor parlamentar, pa asnjë kushtëzim që kufizon liri e të drejta kushtetuese që janë për ne të pa negociueshme", u shpreh kreu i PS.
Sipas Ramës, Partia Socialiste kërkon zgjidhje përmes dialogut, përmes hetimit të zgjedhjeve. " Ne presim zgjidhje përmes dialogut, por jo zvarritje mes justifikimit se po këkrohet një zgjidhje. Ne kemi rrugën e popullit për të zgjedhur me votë dhe parë si është administruar vota e tij. Ndaj kjo votë duhet të garantohet nga parlamenti, përmes hetimit parlamentar", u shpreh ai.
Kryesocialisti pohoi se dialogu mes forcave politike bëhet në Kuvend, por pjesë e saj nuk do jetë opozita derisa zgjedhjet të hetohen në thellësi . "Dialogu mes forcave politike bëhet në Kuvend, ndaj nuk bëhemi pjesë e parlamentit deri kur e drejta jonë për hetimin me themel të zgjedhjeve nuk do të realizohet", theksoi ai.