E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Bojkoti, nuk e pengon integrimin

Partia Socialiste ka vazhduar edhe sot protestat në qytetet e vendit për hapjen e kutive të votimit. Mitingu i radhës është organizuar në orët e pasdites në qytetin e Vlorës ku partitë opozitare kanë përsëritur kërkesën e tyre drejtuar mazhorancës për hetimin e votës elektorale.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama nga Vlora i ka bërë thirrje Berishës që të hapë kutitë e votimit sepse ndryshe do të largohet me zgjedhje shumë të parakohshme.
Rama duke replikuar me kryeministrin Berisha theksoi se bojkoti i opozitës nuk do të pengojë ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian por se bojkoti e vetmja rrugë për të luftuar për liri dhe të drejta që po veniten. Ai theksoi se Berisha po e kthen Shqipërinë në një skemë të mbyllur politike për të lejuar që Shqipëria reale të humbasë dinjitetin përballë një Shqipërie pushtetarësh të korruptuar.
"Berisha u tha shqiptarëve nga kutia e mbyllur e Parlamentit që nuk ka krizë por kemi një rritje ekonomike ndërkohë që kriza ka pllakur gjithë vendin theksoi Rama duke shtuar se ja pse duhet të mblidhemi në 20 nëntor në sheshin "Skënderbej". Rama duke i bërë thirrje shqiptarëve të mblidhen në 20 nëntor në Tiranë theksoi se kjo protestë nuk do të zgjasë vetëm një ditë.
Ai shtoi gjithashtu se sot Shqipëria qeveriset nga familja e Berishës që po pasurohet çdo ditë edhe më shumë ndërkohë që varfëria ka pllakosur vendin.
Rama ka ripërsëritur edhe njëherë se opozita nuk dot ë hyjë në Kuvend pa u hapur kutitë sepse sipas tij ajo nuk do të bëhet bashkëfajtore për të mbyllur sytë për deforminin e votave të shqiptarëve.
Ndërkohë në protestën e sotme në Vlorë ka qënë i pranishëm edhe kreu i PDK, Nard Ndoka i cili ka theksuar se kjo maxhorancë nuk po e qeverisë vendin por po e sundon atë. "Është detyrë e çdo politikani që t'i shkurtojë orët kësaj qeverisje" theksoi Ndoka duke shtuar se kjo maxhorancë është një opozitë sipas votave të shqiptarëve. Gjithashtu Ndoka i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që nga jugu e në veri të mblidhen në 20 nëntor në Tiranë për t'i treguar kësaj maxhorance se që shqiptarët kanë kurajo që të kërkojnë votën e tyre, të ndalin këtë qeveri të papërgjegjshme.
Ndërkaq kreu i PSD-së Skënder Gjinushi u shpreh se hapjen e kutive nuk e pengon dot as qeveria as gjykata. Në fjalën e tij në Vlorë Gjinushi duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 20 nëntorit theksoi se në këtë ditë opozita do ta fitojë betejën e votës së lirë.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipërisë i duhet një qeverisje legjitime e qeverisur me votën e shqiptarëve dhe këtë mund ta analizojmë më 20 nëntor.
Deri tani opozita ka protestuar në Tiranë, Shkodër, Berat, Lushnje, Elbasan dhe Korcë. Mësohet se protesta tjetër para 20 nëntorit do të jetë të martën e ardhshme në Fier.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›