E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami takohet me Sekretarin për Mbrojtjen i SHBA-së, Robert Gates

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami është pritur në Pentagon nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Robert Gates. Takimi ka zgjatur mbi 30 minuta ku janë biseduar një sërë çështjesh që lidhen me angazhimin e Shqipërisë në Afganistan në kuadër të NATO-s, zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, demilitarizimin dhe asgjesimin e municioneve dhe shumë çështje të tjera. Sekretari Robert Gates ka falenderuar Ministrin Imami për prezencën e Shqipërisë në Afganistan dhe për kontributin që po jep vendi ynë atje. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Arben Imami pohoi se Shqipëria është e angazhuar në Afganistan duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-së dhe Aleancës. Ndër të tjera Imami ka treguar se do rritet numri edhe me disa oficerë që do të shkojnë atje. "Ajo që është më e rëndësishme është fakti që do të rritet kapaciteti operacional i Forcave tona të Armatosura. Kemi dy programe shumë të rëndësishme, njëri prej të cilëve me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, për të krijuar një grup trajnimi, i cili do të rrisë ndërveprueshmërinë e Forcave tona të Armatosura. Gjithashtu po punojmë për një program tjetër shumë të rëndësishëm. Një skuadër speciale e Forcave tona të Armatosura do të jetë e gatshme të dalë në terren së bashku me Forcat e Armatosura të SHBA-ve," u shpreh Ministri i Mbrojtjes. Përsa i përket angazhimit të Shqipërisë në vendet në konflikt, Ministri i Mbrojtjes tha se Sekretari Gates i është mirënjohëse Shqipërisë për gatishmërinë e saj për tu angazhuar në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë globale. Ndërkohë mInistri Imami ndodhet në një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është pritur në disa takime të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit, SHtëpinë e Bardhë, nga Sekretari për Mbrojtjen, Robert Gates dhe përfaqësues të lartë të Forcave të Armatosura të SHBA-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›