Rama: Brenda kësaj dekade, Shqipëria duhet të bëhet 100% sovrane sa i përket energjisë

Brenda kësaj dekade, Shqipëria duhet të bëhet 100% sovrane sa i përket energjisë dhe duhet të jetë eksportuese neto, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama nga Përmeti, ku po zhvillon një takimet në terren për zgjedhjet vendore të 2023. Sipas kreut të qeverisë, vendi ynë jo vetëm që nuk do të duhet të blejë më energji, por pjesën që nuk do t’i nevojitet, do ta shesë jashtë.
“Brenda kësaj dekade, Shqipëria duhet të bëhet 100% sovrane sa i përket energjisë dhe duhet të jetë eksportuese neto. Pra jo më Shqipëria të blejë energji, por të ketë atë që i duhet për vete dhe pjesën tjetër ta shesë jashtë. Kjo do ketë dy faza, faza e parë, mbulimi i këtij 25% do jetë brenda 2026 dhe do mbetet vetëm pjesa tjetër për vitet e thata kur akoma do na duhet të importojmë. Kemi hyrë në tjetër nivel dhe sa i përket kontekstit rajonal sepse me riadaptimin e TEC-it të Vlorës dhe përfshirjen e kompanisë amerikane për ta kthyer atë në një pikë të prodhimit të energjisë me gazin e lëngshëm dhe investimin për të lidhur edhe atë tubacion me TAP, ne marrim një tjetër fuqi në vitet që vijnë”, u shpreh kryeministri.
Rama ka bërë me dije po ashtu se qeveria po diskuton mbi vendosjen e një takse të jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë. Kryeministri tha se janë disa prodhues në vend që e prodhojnë energjinë dhe e shesin në tregun e lirë duke patur fitime të shumëfishta, pa bërë ndonjë investim, teksa theksoi se një vendim i tillë do të merret edhe duke ndjekur direktivën Europiane.
“Po diskutojmë vendosjen e një takse të jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë. Janë disa prodhues, nuk janë shumë, por disa që e prodhojnë energjinë dhe e shesin në tregun e lirë dhe kanë fitime të shumëfishta dhe vijën nga fati jo se kanë bërë ndonjë investim. Duke ndjekur direktivën Europiane do vendosim një taksë të jashtëzakonshme”, tha Rama.
/rtsh.al/