E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Brenda mandatit të katërt laboratorë inteligjentë në shkolla, TUMO në Shkodër dhe Vlorë

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Nga podiumi i Kongresit Kombëtar Rinor të Shqipërisë 2030, kryeministri Edi Rama foli edhe për hovin që ka njohur Shqipëria vitet e fundit në fushën e teknologjisë, nga investimet e qeverisë në qendra të dedikuara për teknologjinë për të gjitha grup-moshat, te plani për pajisjen brenda mandatit të katërt me laboratorë inteligjentë të të gjitha shkollave në vend.

“Sot shumë prej tyre mësojnë në shkolla që as nuk krahasoheshin disa vite më parë, sepse sot dyert e universitetit për ta nuk hapen me forcën e mbiemrit, lekut, mikut apo partisë, por vetëm me meritë dhe përmes një platforme digjitale që prej vitesh tanimë nuk ka asnjë ankesë të vetme për përzgjedhjen e emrave dhe hyrjen në çdo fakultet; sepse sot Shqipëria nuk është më vendi i analfabetizmit digjital të një dekade më parë, ku eksportet e produkteve dhe të shërbimeve të teknologjisë digjitale në vitin 2013 ishin 7 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 ishin 183 milionë euro”, theksoi Rama.

“Këto të dhëna nuk keni ku i shihni në kanalet, portalet dhe socialet ku përhapet çdo ditë llumi i kënetës. Në 2013 kishte vetëm 256 ndërmarrje në atë sektor të teknologjisë digjitale, ndërsa në 2023 ishin 4175 ndërmarrje. Kishte vetëm 998 të punëuar në atë sektor, ndërsa në vitin 2023 ka 14 974 dhe ky është vetëm fillimi”, u shpreh Kryeministri.

Kryeminstri Rama u ndal edhe tek investimi i qeverisë shqiptare për pajisjen e shkollave të vendit me laboratorë inteligjentë.

“Kishte zero laboratorë në shkolla, vetëm ca klasa me kompjutera të prishur, sot ka 340 laboratorë inteligjentë dhe brenda vitit 2026 do të jenë 985 laboratorë inteligjentë. Brenda mandatit të katërt nuk do ketë asnjë fëmijë të Shqipërisë që do të mbetet pa akses në teknologji”.

“Te Piramida e Tiranës, kur morëm detyrën ishte një qenef i madh, ndërsa sot ka një qendër të teknologjisë digjitale për fëmijët e moshës 12 vjeç dhe të rinjtë deri 18 vjec, ku mësojnë 1500 nxënës. Qendra quhet TUMO, ka ende vende të lira dhe shpenzimet mbulohen nga Bashkia e Tiranës. Atë qendër do ta çojmë në Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe me radhë.

Plug and Play ka hapur dyert te Piramida dhe kjo është një qendër prej nga kanë dalë qindra unicorn. Ata zgjodhën Tiranën për të vendosur këtu njësinë e tyre në të gjithë rajonin pas një konkurrence të fortë me kryeqytetet e tjera. Ajo qendër tanimë ofron mbështetje këtu pranë shtëpisë, familjes, shokëve dhe shoqeve për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që ëndërrojnë të çajnë qiellin e teknologjisë shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje historinë e suksesit të shqiptares Mira Murati, që la Vlorën kur ishte vajzë që sapo kishte mbaruar gjimnazin, shkoi në Itali, Amerikë dhe atje u bë një nga emrat më në zë të teknologjisë në botë.

“Sot në Shqipëri po krijohen kushtet që edhe këtu të tjerë shqiptarë dhe shqiptare të lënë nam dhe të bëjnë emër të madh sepse në këtë fushë nuk ka kufij, nuk ka madhësi të vendit, nuk ka asnjë lloj dallimi që pengon talentet të shpërthejnë. Po te Piramida nisin aplikimet për Institucionin Francez të Teknologjisë, Shkolla 42, ku do të marrin mësim 250 studentë çdo vit, nga 18-35 vjeç pa asnjë lloj kërkese tjetër, përveç talentit dhe dhuntive të tyre”, nënvizoi kryeministri Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›