Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Problem nuk janë kundërshtarët, por llumi i kënetës së tyre të fabrikimeve

TIRANË, 1 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Ndërsa mbeten vetëm 100 ditë nga zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama u shpreh se “problemi ynë as këtë herë nuk do të jenë kundërshtarët, por do të jetë llumi i kënetës së tyre për të errësuar arritjet para shqiptarëve”.
Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030, Rama u shpreh se “nuk do të jetë një betejë e lehtë se ambicia jonë është e madhe dhe objektivi ynë është shumë ambicioz”.
“Problemi ynë as këtë herë nuk do të jenë kundërshtarët, por edhe më shumë se në të dy herët e shkuara, do jetë llumi i kënetës së tyre që këtë herë do të vërshojë me edhe më shumë tërbim për të errësuar sa më shumë sy, për të çoroditur sa më shumë mendje, për të mërzitur sa më shumë zemra dhe për të ftohur ndaj nesh sa më shumë njerëz. Nuk do t’ia dalin, përkundrazi kanë për ta marrë mbrapsht syve siç e meritojnë”, tha Rama.
Por, sipas tij, “do të duhet shumë durim, shumë energji dhe shumë vendosmëri e këmbëngulje deri në fund të këtyre 100 ditëve”.
“Duke sharë, shpifur, akuzuar, sajuar, fabrikuar, pështyrë, bërtitur, ulëritur, ata do t’ju thonë se unë dhe ne jemi çdo gjë që ne fakt janë ata vetë. Por ju do shikoni Shqipërinë dhe do t’i thoni vetes dhe të tjerëve, ‘kush e bëri më të mirë mund ta bëjë edhe më të mirë akoma ndërsa kush e la krizë mund ta bëjë vetëm si mos më keq”, iu drejtua Rama të rinjve. /j.p/