Rama: Brenda qershorit hapet gara për ndërtimin e aksit Milot-Balldren

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gara për ndërtimin e aksit Milot – Balldren do të hapet deri në fund të qershorit dhe më pas do të hapet për Balldren-Muriqan, për të bërë lidhjen me Malin e Zi.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të organizuar për prezantimin e Kalendarit Digjital të Eventeve në Turizëm përmes aplikacionit TEA 2.0, Rama tha se “duke u nisur nga infrastruktura për të cilën ne po bëjmë një punë shumë intensive ju jeni të informuar që kemi një sezon të ri që hapet me disa vepra të mëdha të infrastrukturës që i vihen në dispozicion vizitorëve dhe udhëtarëve e turistëve duke filluar nga tuneli i Llogorasë, një ide e vjetër, një zotim legjendar i të gjitha forcave politike në të gjitha fushatat, i cili këtë sezon do të jetë i kalueshëm për ata që do të shkojnë në jug, apo do të vijnë nga jugu”.
“Me rrugën e re Orikum-Dukat që zbulon një tjetër pjesë të panjohur të trupit të mrekullueshëm të Shqipërisë. Duke vazhduar me aksin Thumanë-Kashar një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm edh për vetë faktin që prurja e lartë e automjeteve nga veriu drejt Tiranës, apo për më tutje në jug në periudhën e sezonit intensiv turistik bëhet e papërballueshme. Vjet ka qenë një torturë për udhëtarët, por njëkohësisht ky aks është pjesë e korridorit blu që ishte një tjetër ide shumë e përqeshur kur ne e prezantuam para se të vinim në qeveri dhe sot jo vetëm është një korridor i miratuar si pjesë e korridoreve të BE-së, por edhe një korridor që po ndërtohet me aksin Thumanë-Kashar përfundon vetëm një nga segmentet e tij”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “në ditët në vijim nis puna për segmentet e tjera, segmenti Kashar-Lekaj që do bëjë të mundur një autostradë tërësisht të re për të lidhur Tiranën me Rrogozhinë, dhe pastaj Levan-Fier për t’u lidhur pastaj me Vlorën duke garantuar kushtet e një autostrade shpejtësie, ndërkohë që rrugët ekzistuese do të jenë alternative si dhe segmenti më sipër Thumanë-Milot”.
“Kjo infrastrukturë që do jetë e përfunduar brenda kësaj dekade, Shqipëria e 2030 do të ketë ofertë turistike spektakolare në aspektin e transportit për sa i përket të gjithë flukseve që shkojnë drejt bregdetit”, tha Rama.
/k.s/r.e/