Komisioni i Ekonomisë miraton draftrezolutën për veprimtarinë e ASD

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Në drejtimin e kryetarit Eduard Shalsi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e radhës mori sot në shqyrtim dhe miratoi draftrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) për vitin 2023.
Draftrezoluta përmban pesë çështje dhe ndër të tjera Kuvendi i rekomandon ASD që në vijim të përmirësojë punën në këto drejtime: të intensifikojë punën në drejtim të sigurimit të gatishmërisë institucionale për kompensimin efektiv të depozituesve, nëpërmjet ushtrimit të testimeve, të simulimeve teknike dhe bashkëpunimit me bankat dhe SHKK anëtare të skemës në këtë drejtim.
Gjithashtu i rekomandohet të kontribuojë në avancimin e skemës së sigurimit të depozitave duke e përafruar gradualisht me skemat evropiane të sigurimit të depozitave, përmes adresimit të çështjeve që përbëjnë mospërputhshmëri me Direktivën 2014/49/BE “Për skemat e garantimit të depozitave” si dhe të rrisë transparencën përmes publikimit të të dhënave dhe raporteve statistikore në formate dhe platforma lehtësisht të përdorshme nga publiku i gjerë.
Në fokus të punës së ASD-së do të jetë jetë bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë dhe palët e tjera të përfshira në proces me qëllim identifikimin dhe administrimin e rreziqeve kibernetike dhe harmonizimin e praktikave të ndërveprimit në funksion të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
Me kërkesë të disa anëtarëve të komisionit, u vendos që shqyrtimi i draftrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT për vitin 2023, të parashikuara në rendin e ditës, të shqyrtohen në mbledhjen e radhës të komisionit.
/r.e/