Rama: ‘Bufi’ do falënderojë për fitoren të dielën, alarm për humbjen të hënën dhe do thërrasë revolucion të martën

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u bëri një thirrje sot nga takimi elektoral përmbyllës në Tiranë, të gjithë demokratëve “tironas” që të dielën të mendojnë më shumë për Shqipërinë në Bashkimin Evropian, sesa për partitë e tjera të reja.
“Mendoni më shumë për Shqipërinë në BE sesa për rrugicën e pashtruar të fytit të Bahri Falliut, apo kazanin e mbingarkuar të gurmazit të Albana Saliut. Ndërsa, tiranasit e lëkundur i them: ti ke mllef dhe shpoti që nuk gjen dot asnjë shenjë për mbarësi, por duhet të mendosh më shumë për pasaportën evropiane të familjes sesa partitë me gjasme të reja”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi rrugëtimin e tij gjatë fushatës elektorale si të bukur, të qetë dhe pozitiv, pa ndotje të mëdha akustike apo pamore, “përveç atyre grumbujve me leshterikë të “kënetës” nëpër sheshet e qyteteve, apo grushtave dhe shqelmave madhështore të tyre mes veti. Ato grumbujt e “kënetës” më hoqën mallin e Lulit në 2017-n kur përhapte dritën e Republikës së Re, në vend të shokut tim me pantallona ngjyrë bezhë, si ata këngëtarët në mbrëmjet e Maturës, Bufi me kapelen e Donald Trumpit, i kërrusur dhe i rrudhur si ai shtrigani në “Koncert në vitin ’36”, me Latifin që kishte ardhur të hapte tymin madhështor të magjisë që do na shkatërronte të gjithëve ne, dhe me “Syrin” për lajmin madhështor që do e bënte Oqeanin Atlantik kos”, pohoi Rama.
Sipas Kryeministrit, “tani që fushata mbaroi dhe në fushë do të hyjë sovrani, populli me votën e tij, vazhdimin e dimë”.
“Bufi do ta falënderojë për fitoren mbrëmjen e së dielën, pastaj do alarmojë për humbjen drekën e së hënës dhe do të thërrasë në revolucion pa kthim mëngjesin e së martës. Latifi do iki andej nga erdhi, më i pasur sesa erdhi, se në atë grumbull mbetjesh të pariciklueshme ai është i vetmi “rrotë s’ame”, kur thonë kosovarët, dhe do të harrohet Latifi si kapela trampiste që ia rrasi Bufit në kokë si vetë Qim mjekërpostiqja i cili, do të jetë në dilemë madhështore”, tha Rama.
“Ne, PS do të marrim mandatin e katërt me të paktën 78 mandate dhe nuk do të humbim asnjë ditë, për Shqipërinë 2030 në BE. Nuk do humbim asnjë ditë për Shqipërinë me një Prodhim të Brendshëm që do e çojmë në 35 miliardë euro në Shqipërinë 2030, me pagën mesatare të paktën 1000 euro, nga 848 që e kemi sot dhe pensionin minimal 200 euro, për Shqipërinë turistike me investime shembullore të nivelit të lartë nga veriu në jug, që do ta bëjnë vendin tonë një “Sy të kaltër” në mes të Mesdheut, që të gjithë do duan ta shohin dhe nga i cili të gjithë do duan të shihen, dhe me Tiranën platformë e një vizioni spektakolar të arkitekturës moderne”, cilësoi Rama.
/r.e/