E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Problemet e pronave të minoritetit grek të njëjta me ato të shqiptarëve, kanë marrë vëmendje të posaçme

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës zyrtare në Greqi, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit (DEF XI), zhvilloi një bisedë me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini.

Gjatë bisedës, Papahelas pyeti Ramën në lidhje me çështjen e pronave të minoritetit grek në Shqipëri, për të cilën kreu i qeverisë tha se është një problem shqiptar, “për shqiptarët dhe për qytetarët etnikë grekë të cilin po e trajtojmë”.

Sipas kreut të qeverisë, çështjeve të pronave të minoritetit grek iu është kushtuar një vëmendje të posaçme.

“Është një temë shumë e thjeshtë, por edhe e ndërlikuar. Ne kemi qenë një vend që u privua tërësisht nga prona private. Për gjysmë shekulli nuk patëm pronë private, nuk lejoheshim të kishim asnjë m2 tokë në pronësinë tonë dhe madje as edhe një automjet privat. Pas 50 vitesh më në fund e ndryshuam atë regjim të tmerrshëm dhe sigurisht pronat ishte çështja kryesore. Asokohe u miratua një ligj me konsensus si të opozitës ashtu dhe të partisë që vinte nga e shkuara për t’i dhënë letër përdorimi, titull përdorimi, jo titull pronësie të gjitha atyre që pardonin tokën, dhe ndërkohë të shihej dhe të trajtoheshin ish- pronarët. Në atë moment u krijua menjëherë një mbivendosje dhe në atë moment njerëzit që kishin titull përdorimi të tokës u bënë pronarë, pronarët u bënë ish-pronarë dhe u vendos një shtresë e tretë që ishin shumë njerëz që vinin nga zonat rurale dhe ndërtuan në mënyrë të paligjshme kudo në tokë bujqësore. Nuk kishte tjetër rrugë përveçse t’i legalizonim”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “kemi 10 vite që po merremi me këtë duke pastruar sa më shumë të mundemi, duke digjitalizuar, por për t’i rënë shkurt askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po u them”.

“Që problemi me pronën edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët etnikë shqiptarë në të njëjtën zonë apo diku tjetër. Është thjeshtë një problem shqiptar, për shqiptarët dhe për qytetarët etnik grekë të cilin po e trajtojmë”, tha Rama.

“Për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuarit dhe respekti për pakicën greke, kur them të kuptuarit, të kuptuarit se janë një thesar kulturor dhe në respekti se janë qytetarë të vendit tonë, ne u kemi kushtuar vëmendje të posaçme atyre”.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është angazhuar për të respektuar të drejtat e qytetarëve grekë.

“Dua të përgëzoj Mitsotakis i cili ka qenë vërtet këmbëngulës për këtë dhe unë e kam konsideruar këtë gjë si gjë të mirë, pasi ai lufton për qytetarët e tij, por në të njëjtën kohë u kam thënë njerëzve tanë që duhet ta respektojmë këtë gjë dhe të bëjmë më shumë dhe duhet t’u dëshmojmë fqinjëve tanë sesa shumë e vlerësojmë këtë marrëdhënie”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›