E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Deputeti që pengon foltoren, modeli që kopjohet nga fëmijët

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi sot me prindër dhe mësues, për të shpalosur planin e veprimit për të rritur sigurinë në shkolla, foli për modelet që u jepen atyre, qoftë edhe nga salla e Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Ramës, fëmijët janë të prirur të pëlqejnë më shumë sjelljet jo të duhura dhe ti kopjojnë ato, ndaj ai theksoi nevojën e bashkëpunimit prindër-mësues-fëmijë.

“S’kemi se çfarë t’i bëjmë deputetit që del te foltorja dhe i pengon me trup të tjerët të flasin. Por, kur kjo dhe shumë të tjera si këto marrin rrugët e Facebook, TikTok e të tjera dhe kur u shfaqen fëmijëve tanë, se në TikTok nuk del plani i ri i veprimit, në TikTok nga kjo ngjarje mund të dalë vetëm nëse unë bie nga shkallët atje. Dhe kur fëmijët tanë, adoleshentë shikojnë një trim, apo një tufë me trima që nuk lënë të tjerët të flasin, atyre u pëlqejnë më shumë këta trima dhe duan t’i kopjojnë kur del mësuesi atje para, ose kur një shok i klasës e ka seriozisht që do të japë mësimin apo provimin”, deklaroi Rama.

Sipas tij, ky është efekti i gjithë kësaj dhe se mund të bëhet më shumë brenda për brenda hapësirës ku mësuesi, prindi dhe fëmija janë bashkë.

“Se TikTok në fund të fundit promovon çfarë gjen nëpër rrugët e politikës dhe mediave tona. Këtyre ne nuk kemi çfarë t’u bëjmë, por ne mund të bëjmë shumë brenda për brenda hapësirës ku mësuesi, prindi dhe fëmija janë bashkë”, u shpreh Kryeministri.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›