Rama: Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, se Kosova duhet ta ngrijë dialogun bilateral të normalizimit, për të hedhur një hap gjigand përpara drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Rama ndau sot pjesë nga fjalimi i djeshëm në Prishtinë.
“Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim tanimë të konsoliduar në këtë rrugëtim ku ç’nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe me aleatët e me jodashamirësit tanë, se në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, siç thoni ju, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Europian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në”, tha Rama.
“E thënë ndryshe, Kosova mund t’i japë Familjes Europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Europës së Bashkuar e të NATO-s, duke i përmbushur, unilateralisht, të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë; jo për hir të Serbisë, po për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet”, theksoi Rama.
/r.e/