Rama: Do luftojmë me kokëfortësi për të hyrë në BE, me interes propozimi i Merz

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, i pyetur në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendësministren për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, për letrën e kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me trajtimin e vendeve kandidate, duke përfshirë një qasje të ndryshme për Ukrainën krahasuar me vendet e tjera kandidate, u shpreh se vëmendja e veçantë që kancelari gjerman i kushton zgjerimit të BE-së është shumë e rëndësishme dhe e mirëpritur.
“Është shumë me interes dhe e mirëpritur vëmendja e veçantë që kancelari gjerman i kushton zgjerimit dhe ne e vlerësojmë shumë këtë”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, kjo temë ka qenë më parë tabu, por tashmë nuk është më e tillë.
“Ka qenë një temë që për disa ishte tabu dhe nuk është më tabu”, tha ai.
Kryeministri theksoi se, sipas tij, është e nevojshme një qasje më krijuese ndaj procesit të zgjerimit në një kontekst të ri gjeopolitik.
“Unë personalisht jam i kënaqur me këtë, sepse prej disa vitesh mendoj se duhet gjetur një mënyrë krijuese, pasi jemi në një botë krejt të re. Europa ka një luftë me të cilën duhet të merret në territorin e saj dhe shumë sfida me të cilat duhet të përballet, dhe sigurisht një Europë më e bashkuar është më e mirë për të gjithë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Parlamenti Europian ka nxjerrë raporte që tregojnë se mbajtja e vendeve jashtë BE-së është më e kushtueshme sesa integrimi i tyre.
“Dhe as qeveria e Shqipërisë dhe as ndonjë qeveri e Ballkanit Perëndimor, por vetë Parlamenti Europian ka nxjerrë një raport që tregon bazuar në fakte që mbajtja jonë jashtë është më e kushtueshme sesa marrja jonë brenda. Megjithatë ka një diskutim për këtë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “letra i është drejtuar udhëheqësve të shteteve anëtare të BE-së, kështu që është një diskutim që duhet ta bëjnë ata”.
“Ne presim me padurim samitin BE–Ballkani Perëndimor dhe do të kemi mundësinë ta diskutojmë këtë çështje”, tha ai.
Duke folur për zgjerimin, Rama përmendi edhe Moldavinë, duke theksuar sfidat e saj gjeopolitike dhe presionet e jashtme, por edhe angazhimin e saj për integrimin europian.
“Mendoj që duhet ta shohim gjerësisht, pa nevojën për të provokuar askënd. Do të shtoja, ashtu siç tha Marilena, se kandidatët nuk duhet të ndahen. Kjo është e para. Po Moldavia? Moldavia i ka mbijetuar dy agresioneve ruse dhe dy fushatave shumë të vështira. Një vend që në dukje është i brishtë, por një grua shumë e fortë, Maia Sandu, e ka drejtuar me shumë guxim dhe me një vullnet të fortë europian, duke u premtuar moldavëve Bashkimin Europian. Çfarë thonë rusët? ‘Mos i besoni asaj, mos u besoni atyre. Europa nuk do t’jua hapë kurrë dyert, ejani me ne’. Tani mendoj që është një bast tejet i madh të pritet deri pas zgjedhjeve të treta pa çelur bisedimet e anëtarësimit për Moldavinë.”
Ai u ndal gjithashtu te procesi i integrimit të Shqipërisë, duke e cilësuar vendin tonë si më proeuropianin në Europë.
“Sa për Shqipërinë, jemi vendi dhe kombi më proeuropian në Europë. Jo se e them unë, por sepse çdo barometër i BE-së e tregon këtë”, u shpreh ai.
Rama shtoi se Shqipëria mbetet e vendosur në rrugën e integrimit dhe se do të vijojë reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Ne jemi “talebanët” e BE-së. Ne nuk do t’i hedhim sytë askund e nuk do të lëkundemi çfarë do të duhet do ta bëjmë për të hyrë brenda. Ne do të luftojmë me kokëfortësi për të hyrë brenda. Por ka pika të dobëta dhe dobësi vërdallë që duhen marrë në konsideratë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, “në Europën e sotme askush nuk është i vogël mjaftueshëm për t’u lënë për raundin tjetër dhe askush nuk është i madh mjaftueshëm për të qenë i vetëmjaftueshëm”.
/gj.m/r.e/