E Diel, 1 Nëntor 2026

Raouna: Zgjerimi i BE-së mbetet prioritet, vendet kandidate duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Pas përfundimit sot të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, zëvendësministrja për Çështjet Evropiane të Qipros, Marilena Raouna dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos zhvilluan një konferencë për mediet.

Gjatë konferencës, zëvendësministrja për Çështjet Evropiane të Qipros, Marilena Raouna u pyet në lidhje me një letër të kancelarit gjerman Friedrich Merz, drejtuar liderëve të BE-së, ku propozohej ideja e një “anëtarësimi të asociuar” për Ukrainën si dhe mundësia e zgjidhjeve novatore për vende të tjera kandidate.

Në përgjigje të pyetjes, Raouna theksoi se letra pasqyron interesin në rritje të shteteve anëtare për zgjerimin e BE-së dhe për rezultatet e tij. Sipas saj, idetë e ngritura ende nuk janë diskutuar zyrtarisht nga vendet anëtare, por janë pjesë e reflektimeve më të gjera mbi mënyrën e avancimit të procesit të zgjerimit.

Raouna nënvizoi se prioritet mbetet zbatimi i metodologjisë ekzistuese të zgjerimit, e bazuar në meritë, si dhe respektimi i kuadrit aktual ligjor të BE-së, përfshirë kërkesën për unanimitet dhe Nenin 49 të Traktateve të BE-së, i cili përcakton anëtarësimin e plotë. Raouna shtoi gjithashtu se është e rëndësishme që të gjitha vendet kandidate të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Gjëja e parë për t’u thënë është fakti se kjo letër është po kështu dëshmi e faktit që për shkak të këtij momenti kulmor që kemi në procesin e zgjerimit ka dhe shumë interes të shteteve anëtare për zgjerimin dhe për rezultatet e zgjerimit. Ka angazhim dhe ka pritje për ta çuar përpara agjendën e zgjerimit. Për pjesën e dytë të pyetjes suaj, idetë e shprehura në këtë letër ende nuk janë diskutuar nga shtetet anëtare, por do të thoja që janë pjesë e reflektimeve të përgjithshme të shteteve anëtare për mënyrën se si të çohet përpara agjenda e zgjerimit. Ajo çfarë mund të them është që duhet të përqendrohemi te çfarë kemi përpara nesh. Dhe çfarë kemi përpara nesh? Kemi faktin që zgjerimi është përparësi absolute për ta çuar përpara këtë agjendë me të gjitha vendet kandidate.

“Kemi një metodologji të rënë dakord. Është metodologjia me të cilën punojmë, kemi qasjen bazuar në meritë dhe kjo është shumë kyçe për besueshmërinë e përgjithshme të zgjerimit, dhe kemi po kështu edhe faktin që ky është një proces që kërkon unanimitet, dhe kemi atë çfarë parashikojnë traktatet, Neni 49, anëtarësimin e plotë. Është po kështu shumë e rëndësishme që partnerët e zgjerimit të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha ajo.

Duke iu referuar ecurisë së procesit, ajo theksoi se zgjerimi mbetet një prioritet i rëndësishëm i BE-së dhe se vitet e fundit janë shënuar përparime konkrete në negociata, përfshirë edhe zhvillime të reja në procesin me vendet kandidate.

“Te komenti i fundit Komisionerja dhe mua më pëlqejnë gjithmonë numrat – sepse ndonjëherë i thonë gjërat shumë herë më qartë – numrat për sa shumë kemi ecur përpara krahasuar me vitet e mëparshme që nga dhjetori. Do t’u shtoja atyre numrave që për herë të parë qysh se kur kemi krijuar palën ad-hoc për anëtarësimin e Kroacisë dhe asokohe e kam ndjekur këtë proces, por herë të parë që prej asaj kohe kemi një palë ad-hoc të ngritur për hartimin e traktit të anëtarësisë së Malit të Zi dhe kjo flet shumë.

Fakti që jemi këtu flet shumë. Procesi i zgjerimit dhe negociatat e anëtarësimit pavarësisht sa komplekse janë dhe duhet të jenë të jenë të tilla, sepse ky është një proces transformues, është një nga politikat që kanë më shumë ndikim të Bashkimit Evropian, sepse sjellim anëtarë të rinj në familje, por pavarësisht këtij kompleksiteti ia dalim të farkëtojmë kompromise që kërkon shumë punë, të gjejmë zgjidhje, të arrijmë konsensus mes shteteve anëtare. Këtë kemi bërë dhe këtë do të vazhdojmë të bëjmë”, tha ajo.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›