E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Do ti heqim taksat për ushqimet sapo të vijmë në qeveri

Edi Rama dje gjate tryezes se PS per drejtesine

Kryetari i PS-së, Edi Rama, duke folur dje para deputetëve socialistë tha se programi i ri i PS-së do ta sjellë fitoren në 2013-n. Duke dhënë disa nga momentet më të prekshme për qytetarët, Rama tha se heqja e TVSH-së do të ulë koston e jetesës së shqiptarëve. Propozimi ynë për heqjen e taksës që qeveria ua merr qytetarëve për bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, për uljen në 6% të taksës që qeveria ua merr qytetarëve për çdo faturë dritash, si dhe për heqjen e taksës që qeveria u merr bujqve e fermerëve për inputet bujqësore, ka ngjallur shumë interes. Do vazhdojmë ta ngremë zërin fort dhe do ti shpjegojmë me durim të mirat që ka kjo politikë e re me TVSH-në për xhepin e çdo familjeje të zakonshme shqiptare, në qytet apo në fshat. Me këto masa radikale të domosdoshme, ulja e kostos të jetesës së familjeve të zakonshme do të jetë shumë e ndjeshme. Ne do ta bëjmë atë realitet sapo të vijmë në qeveri, u shpreh Rama. Duke vijuar me çështjen e taksave, Rama tha se PS do ti heqë taksat për inputet bujqësore.
Dua të sqaroj se këto që propozojmë skanë asnjë lidhje me akuzat dhe shpifjet e Saliut, i cili i refuzon sepse nuk ia ndjen hiç për Shqipërinë që jeton jashtë oborrit të pushtetit tij. Këto janë të gjitha masa që u shërbejnë drejtpërdrejt njerëzve të zakonshëm. Atyre që mbushin listat e borxheve në dyqane dhe paguajnë taksë 20 % për çdo kafshatë bukë, për çdo gllënkë qumësht, për çdo kokërr vezë, për çdo aspirinë. Këto taksa duhen hequr. Ne do ti heqim! Do të heqim dhe taksën e inputeve bujqësore që sot u kushtojnë bujqve e fermerëve sa qimet e kokës dhe nuk do ta prekim TVSH-në e prodhimeve të fushës, siç gënjen Saliu, sepse do ti mbrojmë dhe stimulojmë këto prodhime duke mbrojtur e stimuluar fshatin shqiptar, që sot është në mëshirë të fatit, u shpreh Rama, duke i kthyer në këtë mënyrë dhe përgjigje akuzave të Kryeministrit Berisha. Kryesocialisti falënderoi gjatë fjalës së tij sekretarin ligjor të PS, Fatmir Xhafajn, për organizimin e shkëlqyer, sipas tij, të tryezës publike mbi drejtësinë në sfidën e integrimit. Ishte një aktivitet shumë cilësor, gjithëpërfshirës e kuptimplotë, ku mungesa e palës tjetër mbeti e pajustifikuar, u shpreh Rama.

Rama uron Tahirin për ditëlindjen
Kreu socialist në fund të fjalës së tij uroi ditëlindjen e kryetarit të komanduar të PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri, për ditëlindjen e tij. Së fundi, i uroj gëzuar ditëlindjen nënkryetarit të grupit, Saimir Tahiri, u shpreh Rama në përfundim të fjalës së tij. Më 30 tetor, Tahiri mbushi 32 vjeç, ndërsa ka marrë urime gjatë këtyre ditëve nga deputetët socialistë.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›