E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Programi, kapitull i ri i komunikimit me shqiptarët

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka paraqitur sot në mbledhjen e Asamblesë së Përgjidhshme programin e ri të partisë. Në fjalën e tij, Rama theksoi se ky dokument themelor është për të hapur një kapitull të ri të punës dhe të komunikimit të Partisë Socialiste me shqiptarët.
 

“Dua të falenderoj anëtarët e Asamblesë që së bashku me ekspertët u angazhuan seriozisht në hartimin e programit të ri si një dokument themelor për rrugëtimin tonë të mëtejshëm drejt fitores sonë në të zgjedhjet e ardhshme” ka theksuar Rama.

Ai ka shtuar gjithashtu se program i ri është një dokument pune që do ti paraqitet edhe kongresit dhe më pas do të shkojë derë më derë për tu kthyer në një program të detajuar qeverisës. Sipas tij programi është i ndarë në 4 kapituj ku e para është rimëkëmbja ekonomike e vendit.
 

“Përcaktojmë angazhimet e PS për ta bërë realitet rimëkëmbjen ekonomike duke dalë nga kriza që thellohet dita-ditës. Ka të bëjë me angazhimin tonë se do hapim 300 mijë vende pune brenda mandatit të parë qeverisës. Dobishmëri publike për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe anulimin e koncesioneve të paligjshme duke kthyer transparencën në gjitha procedurat e konkurrimit. Për një politikë të re fiskale dhe ulje të kostos së jetesës duke hequr taksën e sheshtë dhe vendosjen e tatimit progresiv. Politikë e re fiskale që ul kostot e prodhimit bujqësor, rrjet kombëtar tregtimi të produkteve bujqësore dhe shumëfishim të financimit publik ndaj fshatit. Do zerojmë TVSH-në për produkte si buka, vezët, qumështi e ilaçet”, theksoi Rama.

Sipas tij do të çmontohen monopolet e bukës, ujës, orizit, karburanteve dhe do hiqet sistemi i referencave që po e mbyt sipërmarrjen. Rama premtoi zgjidhje të problemit të pronës dhe një Shqipëri pa plehra brenda mandatit të parë qeverisës. “Hartimi i planit kombëtar për zhvillimin e turizmit dhe institucionin e statistikave nën kontrollin e parlamentit të Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se ristrukturimi i politikave ekonomike është një domosdoshmëri ndërsa shtoi se Shqipërisë i nevojitet një model i ri ekonomik.

Gjithashtu kreu i selisë rozë theksoi se PS-ja do të zgjidhë çështjen e pronave, e cila sipas tij prej 20 vjetësh mbetet ende e pazgjidhur. “Duhet të heqim termin “ish-pronarë”. Nuk ka ish-pronarë por pronarë realë. Ne do zgjidhim çështjen e pronave dhe do të nisim bashkëpunimin me pronarët” ka shtuar Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›