Rama: Drejt përfundimit rikonstruksioni i Pediatrisë së Specialiteteve

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Rindërtimi i plotë i Pediatrisë së Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një prej investimeve më të rëndësishme në infrastrukturën shëndetësore është drejt përfundimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, ndërsa u shpreh se “është drejt përfundimit një prej investimeve më të rëndësishme në shëndetësi, rilindja e plotë e Pediatrisë së Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza””.
Rindërtimi i kësaj godine mundëson zgjerim të shërbimeve mjekësore për fëmijët, rritje të kapaciteteve të shtretërve, si dhe ambiente me kushte bashkëkohore për stafin duke rritur standardin e shërbimeve për pacientët e vegjël.
Rehabilitimi i plotë i Pediatrisë së Përgjithshme dhe të Specialiteteve konsideron të gjithë rehabilitimin dhe përforcimin nga themelet të të gjithë strukturës të Pediatrisë së Përgjithshme, ku janë 120 shtretër dhe përfshihet shërbimi i onko-hematologjisë, dializës, pneumologjisë, etj.
Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUT.
/m.m/