FOKUS – Rriten shqetësimet pas raportimit të 45 të vdekurve në sulmin izraelit në Rafah

TEL AVIV, 27 maj /ATSH-DPA/- Autoriteti shëndetësor i drejtuar nga Hamasi në Gazë raportoi sot 45 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas një sulmi ajror izraelit që goditi çadrat që strehonin civilët e zhvendosur pranë qytetit jugor, Rafah.
“Shumica e të vdekurve gjatë sulmit ajror ishin gra dhe fëmijë”, tha autoriteti shëndetësor, duke e përshkruar incidentin si një “masakër”.
Informacioni fillimisht nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur, por Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha më herët në platformën X se kishte “shumë” të vdekur dhe të plagosur gjatë bombardimeve në veriperëndim të Rafahut.
Incidenti ka ngjallur tmerr dhe zemërim ndërkombëtar.
Ndërkohë, një shkëmbim zjarri midis trupave izraelite dhe egjiptiane pranë kufirit me Rripin e Gazës shkaktoi gjithashtu shqetësime të reja se lufta në Gazë mund të përshkallëzohej.
Ushtria izraelite tha se incidenti është duke u hetuar dhe se po zhvillohen bisedime me Egjiptin.
Sipas mediave izraelite, në këtë incident u vra një ushtar egjiptian. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Egjipti.
Sfondi i ngjarjes fillimisht ishte i paqartë. Kjo do të ishte vdekja e parë e një ushtari në anën e kufirit egjiptian që nga fillimi i luftës së Gazës tetorin e kaluar.
Situata në pikën kufitare të Rafahut është bërë gjithnjë e më e tensionuar. Trupat izraelite kohët e fundit morën kontrollin e pikës së kalimit në anën palestineze, si dhe të një brezi kufitar midis Egjiptit dhe Gazës. //a.i/