Rama: Duhet të investojmë në një rrjet akademish politike

TIRANË, 22 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetari i Partisë Socialiste theksoi sot domosdoshmërinë që të investohet në shkolla dhe akademi politike, për të edukuar të rinjtë mbi politikën.
Rama mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit të Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste, në kuadër të vizitës së këtij forumi të rëndësishëm në Tiranë. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të lartë të Internacionales Socialiste dhe partive simotra europiane, me fokus të veçantë mbi vizionin “PS 2030”.
Gjatë fjalës së tij në këtë forum, Rama tha se “jemi shumë të prirur të kontribuojmë në familjen e Internacionales Socialiste”, ndërsa këmbënguli se të gjithë duhet të investojmë në shkolla politike dhe në një rrjet akademish politike.
“Duhet të ndihmojmë brezin e ri të kuptojë se politika nuk është e keqja, në të kundërt, politika është një instrument që njerëzimi nuk mund të përballojë ta humbë. Nëse kjo ndodh do të shkojmë drejt një jete mjaft të egër”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se janë financuar shumë fonde për organizatat e shoqërisë civile, por nuk ka financime mbi edukimin politik të të rinjve.
“E pyes gjithmonë veten se si ndodh që kaq shumë para janë shpenzuar për të nxitur dhe zhvilluar shoqërinë civile që është një gjë e mirë, të gjitha llojet e organizatave të mundshme, përmes vendimmarrjes politike, ndërkohë asnjë vendim politik nuk është marrë ndonjëherë për të financuar edukimin politik dhe për të ndihmuar të rinjtë që duhet të merren me politikë të kuptojnë se çfarë është politika dhe të gjitha këndet e saj. Të rinjtë duhet të kuptojnë se politika lindi për t’i bërë njerëzit të bëjnë së bashku atë që nuk bëjnë dot të vetëm. Pa politikë njerëzit nuk mund të bashkëveprojnë dhe të bëjnë asnjë gjë së bashku përveçse të luftojnë e vrasin njeri-tjetrin”, tha Rama.
“Sigurisht politika ka bërë shumë gjëra të tmerrshme dhe është e aftë të bëj gjëra të tmerrshme, por nga ana tjetër pa politikën nuk do të kishim Internacionalen Socialiste, Bashkimin Europian, SHBA, nuk do të kishim të drejtat e njeriut, të grave, shtetin e mirëqenies sociale. Asnjë gjë, shtoi Rama.
Kryeministri nënvizoi faktin se “nuk po edukohen askund të rinjtë me politikën por po i jepen shumë instrumente dhe dije të tjera që janë të rëndësishme, por nuk po i jepet dija se si të mblidhen bashkë dhe të përmirësojnë jetën”.
“Ajo që po ndodh me medien sociale është një shkatërrim i shumë gjërave dhe mes tyre shkatërrim i dijes së politikës. Jetojmë tanimë në një moment kur kemi parë se antipolitika nuk mund të bëjë shumë. Kemi parë që ato që formohen nga urrejtja, nga tërbimi, nga cinizmi, nihilizmi, kur kanë patur mundësi si parti të vijnë në pushtet kanë bërë gjëra shumë të këqija. Pra është një pikëpyetje shumë e madhe. Kush dhe si do ta ndryshojë këtë gjë, sa i takon edukimit të brezit të ri nga ana politika dhe pastaj të rinjtë mund të zgjedhin të majtën, të djathtën apo qendrën. Apo mund të zgjedhin PS-në e Shqipërisë fituese”, shtoi Rama.
/a.g/